Komuna e Podujevës ka nderuar kujtimin e viktimave të sulmit të 13 marsit 1999, një nga ngjarjet më tragjike në historinë e qytetit.
Gjatë këtij sulmi ndaj popullatës civile, dy qytetarë humbën jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën.
Sipas kryetarit Shpejtim Bulliqi, viktimat ishin Nexhat Miftari dhe Besnik Shabani, ndërsa mbi 20 qytetarë të tjerë mbetën të plagosur.
“Bombat, të vendosura në kontenierët e mbeturinave, shpërthyen pranë tregut kryesor dhe pranë zyrës së postës, duke tronditur gjithë qytetin dhe duke lënë pas dhimbje të madhe”, ka shkruar kryetari i Podujevës.
Komuna thekson se kjo masakër la plagë të thella te familjet e viktimave dhe në gjithë qytetin e Podujevës.
“Sot i kujtojmë me dhimbje ata që humbën jetën në atë ditë tragjike dhe qëndrojmë pranë familjeve të tyre. Ngjarje të tilla na kujtojnë sakrificën dhe vuajtjet që përjetoi populli ynë në rrugën drejt lirisë”, thuhet më tej në postimin e tij.
Në përkujtim të kësaj ngjarjeje, autoritetet komunale kanë theksuar se viktimat e asaj dite do të kujtohen gjithmonë me respekt, dhimbje dhe krenari.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


