Po shkonin drejt Gazës për të dërguar ndihma, flota ushtarake rrethon anijen humanitare të Greta Thunberg

news image

20 anije ushtarake të paidentifikuara rrethuan anijen humanitare Global Sumud në të cilën ndodhet edhe aktivistja Greta Thunberg, e cila po lundron drejt Rripit të Gazës për të ofruar ndihmë humanitare për palestinezët.

“Ata tashmë po vijnë për ne. Dhjetëra anije po na presin”, tha José Luis Ibote në një video të postuar në mediat sociale. Dy pasagjerë të tjerë, përfshirë Juan Bordera, deputet spanjoll i partisë Compromís, konfirmuan praninë e anijeve të paidentifikuara që po i afroheshin.

Organizatorët e misionit njoftuan shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në anijet që marrin pjesë në mision. Izraeli i ka paralajmëruar vazhdimisht aktivistët që të mos afrohen pranë kufijve detar të Gazës.

Të martën në mbrëmje, aktivistët raportuan se anijet luftarake izraelite po i afroheshin në mënyrë agresive dy anijeve humanitare.

“Anijet luftarake çaktivizuan komunikimet, rrethuan në mënyrë agresive anijet civile dhe i detyruan kapitenët të bënin manovra të mprehta për të shmangur përplasjen,” thuhej në një deklaratë. “Këto veprime armiqësore vunë në rrezik serioz civilët e paarmatosur nga mbi 40 vende”, vijonte deklarata.

Lisi Proença, e cila ishte në bord të Sirius, tha në një konferencë për shtyp se gjatë një nate, anijet iu afruan atyre. “Nuk e goditën anijen, por u afruan shumë dhe filluan të rrotulloheshin”, tha ajo, duke shtuar se komunikimet ishin bllokuar. Megjithatë, anijet izraelite u larguan pas rreth 15 minutash.

Aktivisti brazilian Thiago Avila deklaroi në një konferencë për shtyp se kishte prova të një sulmi kibernetik kundër anijeve. Nuk pati dëme strukturore dhe asnjë prej pjesëmarrësve nuk u lëndua, sipas tij. Ministrat e Jashtëm të Greqisë dhe Italisë po monitorojnë nga afër zhvillimet të anijes Global Sumud Flotilla dhe po i bëjnë thirrje Izraelit të sigurojë sigurinë e pjesëmarrësve dhe të lejojë ofrimin e ndihmës.

Në një deklaratë të përbashkët, ata u bëjnë thirrje anëtarëve të anijes të pranojnë propozimin e Patriarkanës Latine të Jerusalemit për dorëzimin e sigurt të ndihmave si shprehje solidariteti me banorët e Gazës.

Deklarata falënderon iniciativën diplomatike të Presidentit Donald Trump, duke e përshkruar si një mundësi të prekshme për t’i dhënë fund konfliktit dhe vuajtjeve të popullsisë palestineze, duke përfshirë edhe qasjen e plotë në ndihmën humanitare.

Deklarata përfundon duke theksuar nevojën për qasje të lirë në ndihmë humanitare në Gaza dhe arritjen e një armëpushimi sa më shpejt. “Në këtë moment delikat, të gjithë duhet të përmbahen nga veprimet që mund të pengojnë paqen”, thuhet në deklaratë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/