Po rihapet Galeria e Arteve në Prishtinë

Po rihapet Galeria e Arteve në Prishtinë

Pas më shumë se dy dekadash, Galeria e Arteve në Prishtinë, e themeluar më 2 shkurt 1979, po i rikthehet qytetarëve dhe artistëve, përcjell Telegrafi.

Kryetari i Komunës së Prishtinës njoftoi se hapësira e vendosur në Pallatin e Rinisë, e cila ndërkohë ishte shndërruar në një hapësirë afariste, tani po rifiton funksionin e saj origjinal si qendër e artit dhe krijimtarisë.


Galeria e Arteve ka qenë hapësira e parë ekspozuese në Kosovë, në kohën kur vendi ishte ende pjesë e ish-Jugosllavisë.

Ekspozita e saj inauguruese me titull “Bashkëkohësit tanë” shënoi fillimin e një periudhe të rëndësishme për artin pamor kosovar.

Rihapja e Galerisë do të shënohet me një ekspozitë të veçantë që do të bashkojë të gjithë artistët që kanë ekspozuar në këtë hapësirë gjatë viteve ’70 dhe ’80, duke krijuar kështu një urë simbolike mes brezave të krijuesve dhe duke rikthyer Galerinë si një qendër të rëndësishme të kulturës vizuale në Prishtinë. /Telegrafi/