Ka dy vjet që ngre shqetësim për të njëjtën çështje: çmimin prej 30 eurosh për uniformat e fëmijëve të tij që vijojnë mësimet në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Ismail Qemali”.
Ndonëse shuma nuk është e lartë, ky prind nga Prishtina nuk e qan hallin e parave, por ka dyshime se si menaxhohen kur grumbullohen 30 eurot e qindra nxënësve, për uniforma që siç thotë ai mund të gjenden me çmime më të lira në tregje tjera, raporton Kiks Kosova.
Përveç çmimit të uniformave, prindi problemin kryesor e ka me transparencën e institucionit.
Ai tha për Kiks Kosovën që paratë e qindra prindërve mund edhe të shfrytëzohen.
Përveç prindit që anonimisht ndau shqetësimin e tij për Kiks Kosovën, shumë të tjerë ndihen njësoj, por sipas tij, nuk kanë guximin të flasin publikisht.
Kiks Kosova telefonoi drejtoreshën e Shkollës “Ismail Qemali”, Mimoza Krasniqin për të kërkuar nga ajo një përgjigje rreth kësaj çështje.
Krasniqi sqaron që gjithçka është transparente dhe kërkon që prindi të shkojë fizikisht në zyrën e saj që të ia sqarojë të gjitha detajet që të mos ketë vend për keqkuptime. /Klankosova.tv
The post “Po i japim 30 euro, kualitet s’ka”/ Prindi ankohet për unformat e shkollës! (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.