E premte, 31 Janar, 2025
spot_img
HomeLajmePlot premtime e pak realizime, ekonomisti Kadrijaj: Nën Qeverinë Kurti, gjendja e...

Plot premtime e pak realizime, ekonomisti Kadrijaj: Nën Qeverinë Kurti, gjendja e “Trepçës” është edhe më e keqe

Premtimet nuk përtuan t’i japin e fjalët i kishin për investime me vlera të mëdha parash.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në vizitën e 20 tetorit të 2021-ës në Minierën e Trepçës, premtuan që për këtë ndërmarrje do t’i ndanin së paku 70 milionë euro për vitet 2022-2023.

Përveç këtij premtimi, Kurti premtoi edhe shtim të numrit të minatorëve.

“Në dy vitet në vijim do t’i ndajmë së paku 70 milionë euro për investime në ‘Trepçë’ për vitet 2022-2023. Me projektin tonë për Fondin Sovran, e kemi vendosur në qendër të zhvillimit të ardhshëm ekonomik ‘Trepçën’”, raporton Klankosova.tv.

“Do të investojmë në Trepçë që të rritet prodhimtaria, të modernizohet teknologjia dhe të kemi edhe freskim edhe shtim të punëtorëve në ‘Trepçë’. Kemi nevojë për më shumë inxhinierë, kemi nevojë për më shumë minatorë. P.sh. nga rreth 700 punëtorë sa janë gjithsej në Minierën e Stantërgut, diku rreth 10 për qind prej tyre janë minatorë”, pati deklaruar Kurti.

Por, a u shtua numri i punëtorëve në Minierën e Stantërgut gjatë qeverisjes Kurti?

Kiks Kosova ka hulumtuar mbi këtë çështje.

Bazuar në planin e biznesit për vitin 2024, “Trepça” në të gjitha njësitë e veta biznesore i ka të punësuar 1183 punëtorë, dhe vetëm në Minierën me Flotacion “Trepça-Stantërg” figurojnë 712 punëtorë, veç 12 më shumë se sa Kurti kishte thënë në deklaratën e tij të vitit 2021.

Para për financimin e “Trepçës”, Kurti premtoi edhe në mbledhjen e qeverisë së miratimit të projekt buxhetit për vitin 2022 të datës 29 tetor të 2021-ës.

“40 milionë euro të tjera i kemi ndarë për financimet në ‘Trepçë’ e ‘Telekom’ ashtu që këto asete të kthehen në gjenerues të mirëqenie”, deklaronte Kurti.

Për investimet e Ministrisë së Ekonomisë në ndërmarrjen e “Trepçës”, në vitin 2023, postimet e zëvendësministrit Getoar Mjeku të kësaj ministrie nuk munguan.

“Trepça Sh.A. do të përfitojë edhe 1,13 milion euro nga gjithsej 3 milionë euro subvencione që Ministria e Ekonomisë ka ndarë për investimet dhe rimëkëmbjen e ndërmarrjes sivjet. Marrëveshjen e lidhëm sot me kryeshefin në detyrë, dr. Enis Abdurrahmani, dhe drejtorin për ndërmarrjet publike, z. Valon Prebreza”, thoshte më 2023, Mjeku.

“Vazhdojnë përkrahja dhe investimet tona për ‘Trepçën’. Me kryeshefin e ndërmarrjes, Enis Abdurrahmani, lidhëm dy marrëveshje për 1,87 milionë euro subvencione. 970 mijë shkojnë për investime kapitale në tri njësitë biznesore në mbarë Republikën — minierat me flotacion në Stantërg, Kishnicë-Artanë dhe Kopaonik-Leposaviq — dhe 900 mijë për shpenzime të rimëkëmbjes”, deklaronte më 2 maj, 2023, zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku.

Por, një detaj tjetër i postimit të tij, është një ndër investimet e qeverisë e cila edhe në vitin 2025 ende nuk ka gjetur hapësirë realizimi.

Fjala është për kredinë 20 milionëshe që u premtua nga Qeveria Kurti për investime kapitale në makineri e flotacion të ri, në mbledhjen e mbajtur me 22 shkurt të 2023.

Jo që kjo kredi nuk u zbatua ende as këtë vit, por Kurti tek në gusht të 2024-ës ndau 4 milionë euro për pagat e minatorëve.

“Për ndërmarrjen publike ‘Trepça’ do të ndajmë katër milionë euro dedikuar për mbështetje të ‘Trepçës’, në mënyrë që të tejkalohet kriza aktuale ku ndërmarrja nuk ka arritur të sigurojë pagat nga xehet e nxjerra. Duket se ka tepër shumë punëtorë mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka”, thoshte Kurti më 14 gusht 2024, në mbledhje të Qeverisë.

E si duket, ky vendim erdhi vetëm pas grevave të minatorëve të “Trepçës” që ishin bërë një muaj para kësaj, në korrik të 2024-ës, për shkak të mosrealizimit të pagave të muajit qershor dhe korrik dhe shujtave ushqimore, greva këto që zgjatën mbi 12 ditë.

Megjithatë, viti 2023 ishte kulminanti sa i përket grevave të minatorëve, kjo ngase disa herë brenda kësaj periudhe 12 mujore, ata grevuan në shenjë pakënaqësie për mos ekzekutimin e pagave mujore, pagesat për shujta ushqimore dhe kërkesa për rritjen e pagave.

Nga ana tjetër, ekonomisti Mustafë Kadrijaj ka vlerësuar se gjendja e Ndërmarrjes “Trepça” është më e keqe në këto katër vjetët e fundit të qeverisjes Kurti.

Në një prononcim për “Kiks Kosova”, ai tha se deklaratat injoruese të kryeministrit Albin Kurti, bëjnë të ditur se çfarë do të bëhet me fatin e “Trepçës”, transmeton Klankosova.tv.

“Çka u bë me ‘Trepçën’, jemi koshientë që nuk u bë asgjë. Por ne duhet nisur nga një referencë që kryeministri aktual kur ka qenë në ardhje, para katër vjetëve, pati deklaruar se ne jetojmë në pasuri dhe ari, por si rezultat qysh ai ka sulmuar oponentët e vet politikë, që si rezultat i keqmenaxhimit dhe i mospolitikave, sipas tij që nuk kanë bërë që të fuqizohet ‘Trepça’ dhe të kthehet në një ekonomi e cila do të kontribuonte në arkën e shtetit”.

“Por, ku flasim pas katër vjetësh, jo që është e njëjta gjendje, por është më keq, si nga ana e trajtimit të punëtorëve, si nga ana e aktivitetit ekonomik, si dhe nga ana e përkrahjes së qeverisë. Dihen edhe deklaratat injoruese të kryeministrit aktual në raport me punëtorët e ‘Trepçës’, që në këtë drejtim mbetet të shihet ku do të jetë fati i ‘Trepçës’, por që me këtë qasje që ka kryeministri aktual, po vlerësoj që nuk do të ketë këndellje të ‘Trepçës’ si një ndërmarrje që është premtuese”, tha ai.

Tutje, Kadrijaj shton se Kurti po tenton ta fusë “Trepçën” në Fondin Sovran, gjë që sipas tij, nuk është aspak mirë për këtë ndërmarrje.

“Po tenton që ‘Trepçën’ ta fus në kuadër të Fondit Sovran që në asnjë rrethanë nuk i bie mirë ‘Trepçës’. Pra, në njëfarë mënyre edhe ky Fond Sovran nëse ‘Trepça’ do të fuqizohet, do ta vjelë në fakt Fondin Sovran, sepse sipas logjikës së tyre, Fondi Sovran do të jetë një lloj banke e qeverisë e cila tani do të mendojë për investime, por në ekonominë e tregut, kjo nuk ka logjikë”, u shpreh ekonomisti Kadrijaj.

Kiks Kosova ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Ekonomisë në lidhje me investimet që janë bërë në këtë ndërmarrje përgjatë katër viteve të Qeverisë Kurti, por edhe në lidhje me kredinë 20 milionëshe që ishte paraparë të jepej për “Trepçën”, por deri në momentin e raportimit, institucioni përgjegjës nuk ka kthyer përgjigje. /Klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

<!–

–>

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT

https://upskittyan.com/act/files/tag.min.js?z=8547498