Legjenda e Francës dhe Juventusit, Michel Platini, ka kritikuar publikisht vendimet taktike të trajnerëve që kanë aktivizuar Kenan Yildiz në pozita jo natyrale për të.
Duke folur për mediat italiane, Platini u shpreh i habitur me zgjedhjet e fundit të Igor Tudor dhe më herët edhe të Thiago Motta, që kanë vendosur ta përdorin numrin 10 të Juventusit në krahët e sulmit.
“Ai është një numër 10 dhe sipas mendimit tim duhet të luajë në qendër. Nuk e kuptoj pse Motta dhe Tudor e vendosin në krah. Fatkeqësisht, në futbollin modern ka këtë tendencë për t’i zhvendosur lojtarët teknikë në krah, kur ata duhet të jenë në zemër të lojës. E kam thënë prej vitesh, por askush s’më dëgjon”, ka thënë Platini.
Pavarësisht kësaj, paraqitjet e Yildiz kanë qenë të qëndrueshme.
20-vjeçari turk ka shënuar dy gola dhe ka dhënë katër asistime këtë sezon, duke treguar fleksibilitet si sulmues i dytë dhe në krahun e majtë.
Megjithatë, forma e tij ka pësuar një rënie të lehtë kohët e fundit, pasi nuk ka kontribuar me gol apo asist në tri ndeshjet e fundit, përfshirë edhe barazimin dramatik kundër Borussia Dortmund ku gjithsesi u vlerësua për paraqitjen e tij. /Telegrafi/