Plani i paqes i Trumpit është gjithçka për të cilën kanë ëndërruar izraelitët, por është fantazi!

Plani i paqes i Trumpit është gjithçka për të cilën kanë ëndërruar izraelitët, por është fantazi!

Nga: Roy Schwartz / Haaretz
Përkthimi: Telegrafi.com

Nuk zgjati shumë kohë që Ungjilli i Donaldit të shndërrohet në mesazhin të cilin që të gjithë në Izrael mund ta mbështesnin. Plani me 20 pika për t’i dhënë fund luftës së vazhdueshme në Gazë, i paraqitur të hënën nga presidenti amerikan, është gjithçka për çfarë izraelitët kanë ëndërruar – madje fantazuar. Pengjet më në fund do të kthehen – disa te familjet e veta, të tjerët në varre. Hamasi do të zhduket, të paktën si organizatë në pushtet, dhe ushtarët do të kthehen në shtëpi. “Plani i paqes” do të nënkuptojë, në mënyrë të supozuar, një kthim në normalitet.


Një lexim i shkurtër i planit njëfaqësh mund të sugjerojë se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe njerëzit e tij kanë qenë të përfshirë në formulimin e tij. Në disa raste, ai tingëllon më shumë si një listë kërkesash izraelite sesa si kompromis diplomatik. Ndoshta kjo është arsyeja se pse Netanyahu e bekoi atë mjaft shpejt, gjë që u duk sikur e vulosi marrëveshjen. Megjithatë, vlen të përmendet se fjalimi i tij ofroi një version disi më ndryshe nga ai në dokumentin e shkruar – duke thënë se ai nuk u pajtua për shtetin palestinez apo për tërheqje të plotë ushtarake.

Sapo e hap paketën, heq fjongot dhe superlativët (“potencialisht një nga ditët më të mëdha ndonjëherë në qytetërim”, siç e quajti Trump), dalin më shumë se disa boshllëqe. Më i dukshmi është pala tjetër në marrëveshje – Hamasi, i cili ende nuk e ka miratuar atë. Ky detaj i vogël duket se është cilësuar pothuajse i parëndësishëm. Duke pasur parasysh historikun e Netanyahut, mund të shtrohet pyetja nëse refuzimi nga Hamasi do të ishte në fakt një rezultat i volitshëm për të. Kjo do t’i lejonte atij të shfaqej si dikush që me të vërtetë kishte tentuar t’i jepte fund luftës – teksa e ruante mbështetjen e plotë të ShBA-së për ta vazhduar atë. Dhe, meqë përfundimi i gjakderdhjes mund të nënkuptojë gjithashtu rrëzimin e koalicionit të tij, ndoshta në lojë janë disa llogaritje më të thella politike.

Një tjetër pyetje e madhe qëndron në përgjigjen alternative që mund të japë Hamasi: po, por. Me fjalë të tjera – mbështetje për një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, në parim, por me disa detaje të cilat kërkojnë negociata të mëtejshme. Kjo do të shtrojë pyetjen se sa fleksibil mund të jetë Izraeli, duke pasur parasysh se qeveria e Netanyahut aktualisht varet nga partitë e ekstremit të djathtë dhe se shumë prej anëtarëve të tyre mund ta shohin edhe kompromisin më të vogël si një arsye për ta shpërbërë koalicionin (edhe plani aktual i ka trazuar ata). Në atë pikë, do të bëhej një provë e asaj se sa presion mund të ushtrojë ShBA-ja realisht mbi Netanyahun – duke ia përdredhur krahun, nëse është e nevojshme. Dhe, nëse kjo dështon, atëherë çfarë ndodh?

Për shembull, analizojeni seksionin 17 të planit. Ai thotë se edhe nëse Hamasi e refuzon apo e vonon marrëveshjen, Izraeli do t’i dorëzojë zonat “pa terror” te një forcë ndërkombëtare. Si saktësisht pritet që të ndodhë kjo? Si do të funksionojë realisht një forcë e tillë në një zonë lufte? Nuk ka përgjigje për këto pyetje.

Edhe nëse supozojmë se propozimi origjinal realizohet me ndihmën e vendeve arabe dhe myslimane, ky nuk do të jetë fundi i dyshimeve – por, vetëm fillimi. Shumë nga pasiguritë lidhen me të ashtuquajturën dita tjetër. Plani premton ndihmë të plotë humanitare për Gazën, përfshirë rehabilitimin e infrastrukturës (ujë, energji elektrike, kanalizime), spitaleve, furrave të bukës dhe hyrjen e pajisjeve të nevojshme për të hequr rrënojat dhe për të rihapur rrugët. Megjithatë, mungon shpërndarja e fondeve. Dokumenti nuk ofron asnjë detaj se sa do të kushtojë kjo apo, më e rëndësishmja, kush do ta sigurojë këtë financim.

E njëjta gjë vlen edhe për propozimin për Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF). Cilat vende do t’i dërgojnë trupat? Sa? Kush do ta ketë autoritetin kryesor mbi këto forca? Si do të koordinohen ato me Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF)? Kush do të jetë përgjegjës për t’u siguruar që Gaza të mos kthehet në një terren loje për vende të ndryshme me interesa dhe agjenda të ndryshme? Dhe, në fund, por jo më pak e rëndësishme: kush do t’u japë garanci njerëzve të Gazës se e gjithë kjo nuk është thjesht formë e re e pushtimit të huaj? Këto mund të duken detaje të vogla, por janë thelbësore – nëse jo kritike – për ta bërë planin diçka më shumë sesa teorik.

Megjithatë, diskutimi publik në Izrael duket se nuk shqetësohet shumë për këto pyetje. Kjo nuk duhet të jetë befasi. Shumë izraelitë kanë qenë të pandjeshëm ndaj katastrofës në Gazë, që nga fillimi i luftës – përfshirë vdekjen masive dhe urinë e palestinezëve të paarmatosur. Ka kuptim që ata të mos shqetësohen se si Gaza do të ecën përpara. Duket se për izraelitët ajo çfarë ndodh në Gazë mbetet në Gazë – pa pasoja për palën tjetër.

Në një farë mënyre, përfundimi i propozuar i luftës përputhet mirë me atë mentalitet. Ekziston një ndjenjë e përhapur se nëse plani ecën përpara, Izraeli mund të kthehet thjesht në ditët para se gjithçka ndodhi. Çfarë ndodhi në Gazë do të harrohet, përveçse, sigurisht, masakra e 7 tetorit 2023. Nuk do të ketë më arsye për të protestuar kundër Izraelit në nivel global, e sigurisht jo për të vendosur sanksione ndaj zyrtarëve izraelitë apo për të kërkuar përjashtim nga garat sportive ndërkombëtare apo nga Eurovizioni.

Për të ardhmen e parashikueshme, brenda Izraelit mund të duket i parëndësishëm fakti se Rripi i Gazës do të mbetet një zonë e shkatërruar pa pothuajse asnjë infrastrukturë. Duket se nuk ka rëndësi as fakti që popullit të Gazës do t’i duhet një kohë e gjatë për të rindërtuar shtëpitë, për t’u kthyer në punë – apo për të varrosur të dashurit dhe për të vajtuar. Pa përmendur atë se do të zbulohen tmerre të tjera nëse Gaza bëhet më e sigurt dhe hapet për shtypin e huaj. Këto çështje rrallë diskutohen. Si një libër historie që kthehet në bibliotekë, mbyllet dhe arkivohet. /Telegrafi/