Gëzim Plakolli nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka folur në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova ku ka treguar për ambicien e tij që të jetë kryetar i Mitrovicës.
Ai tha se është rritur në frymën e LDK-së dhe në kulturën e qetësisë në të bërit politikë.
Plakolli u shpreh se ndonëse ka mësuar të jetë i qetë në politikë, njëkohësisht ka mësuar të jetë edhe kokëfortë kur duhet dhe se kjo e ka formuar si njeri me qëndrime të qarta.
“Sepse jam rritur në frymën e LDK-së. Jam rritur me atë qetësinë e të bërit politikë. Sido që të jetë, jam rritur edhe që të jem kokëfortë. Prandaj unë e them që Kosovën e shoh të përhershme, dhe ashtu dua ta shoh gjithmonë. Unë jetoj në Mitrovicë, fëmijët e mi rriten në Mitrovicë. Bashkëndjej me të gjithë qytetarët e Mitrovicës dhe i ndjej të gjitha ato mangësi, problemet që i kanë qytetarët e Mitrovicës. Bashkëndjej me të gjithë ata”, tha ai në Klan Kosova.
Sa i përket programit, ai tha se ai përbëhet nga dhjetë prioritete, të ndërtuara mbi tre shtylla kryesore që janë qeverisja e hapur, duart e pastra dhe ndërtimi i një vizioni afatgjatë për qytetin.
“Programi im ka 10 prioritete, por i kam tri shtylla në të cilat bazohet, qeverisje e hapur, me duar të pastra, dhe qeveri që planifikon afatgjatë. Sepse ne duam ta shohim Mitrovicën të zhvilluar, sepse Mitrovica sot është, për fat të keq, komuna më pak e zhvilluar në Kosovë”, tha Plakolli, transmeton Klankosova.tv
The post Plakolli: Mitrovicën e dua të zhvilluar, kam lindur dhe jetoj aty (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.