Një aksion i policisë së Dibrës për arrestimin e një personi në kërkim ka përfunduar me plagosjen e një efektivi.
Gjatë operacionit, polici Gentian Meda u rrëzua nga një mur rrethues, duke pësuar dëmtime trupore. Ai u nis me helikopter drejt Tiranës për ndihmë mjekësore më të specializuar.
Aksioni ku ai merrte pjesë kishte të bënte me arrestimin e një 35-vjeçari në fshatin Kërçisht të Maqellarës. Personi u vu në pranga gjatë orëve të para të mëngjesit, por sipas raportimeve, ai ka tentuar të arratiset duke shtyrë efektivin dhe duke e lënë të plagosur.
35-vjeçari kërkohej nga autoritetet italiane për të vuajtur një dënim me 6 vite e 7 muaj burg.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe të koordinuara, në Maqellarë u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit Klodian Llomi (Mazari), 35 vjeç, banues në fshatin Kërçisht, Maqellarë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit ka njohur dënimin e Gjykatës së Apelit të Romës në Itali, ku ka për të vuajtur dënimin e mbetur 6 vite, 7 muaj e 2 ditë burg për veprat penale ‘Organizatë kriminale’, ‘Shfrytëzim prostitucioni’ dhe ‘Trafikim i lëndëve narkotike’”, njoftoi policia.
Sipas njoftimit, i arrestuari ishte shpallur në kërkim pasi autoritetet shqiptare kanë njohur vendimin e gjykatës italiane për dënimin e tij.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


