Mbrëmë, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati një darkë pune me të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce, në rezidencën e ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar.
Kjo është hera e dytë që emisarja Pierce vjen në Kosovë në këtë kapacitet, gjersa në prillin e kaluar ishte pjesë e delegacionit të Sekretarit të Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, gjatë vizitës së tij po në Kosovë, transmeton klankosova.tv.
Të dy, sipas njoftimit diskutuan së bashku mbi marrëdhëniet mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe mundësitë për zgjerim të bashkëpunimit duke përfshirë fusha të ndryshme, nga industria kreative dhe diplomacia deri te mbrojtja e siguria.
Në përgatitjet për mbajtjen e Samitit të ardhshëm të Procesit të Berlinit i cili do të zhvillohet në tetorin e këtij viti në Londër, kryeministri theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura dhe rëndësinë e njohjes reciproke të diplomave dhe lëvizjes së lirë, si jetike për suksesin e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Planin e Rritjes.
Theksojmë se për dallim nga kreu i Vetëvendosjes, diplomatja britanike për takime u shkoi në zyret e tyre të partive politike, liderit të PDK-së e LDK-së.
The post Pierce thërret Kurtin për takim në rezidencë, fokus bashkëpunimi dhe Samiti i Berlinit appeared first on Klan Kosova.