Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë të premten njoftoi se SHBA ka pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën. Referuar deklaratës së Ambasadës veprimet dhe deklaratat e fundit nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve.
Në postimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë thuhej se ShBA-të kanë pezulluar Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta.
“Ne mbetemi të përkushtuar për të çuar përpara interesat e përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga kryeministri në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve”, thuhet në deklaratë.
E një deklaratë e tillë e Ambasadës amerikane në Prishtinë ngjallë reagime të shumta.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj ka deklaruar për Telegrafin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mos ndërmarr veprime që cenojnë stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë.
Sipas tij, sulmet e paprecedentë ndaj Gjykatës Kushtetuese, por edhe shume veprime të tjera të pakoordinuara dhe pa bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë kanë sjell këtë situatë ku ShBA tërhiqet nga dialogu strategjik me Kosovën.
“Fatmirësisht, komunikata e ambasadës amerikane e bën një dallim në mes bashkëpunimit me Kurtin dhe qeverinë në detyrë me lidhjen historike me popullin e Kosovës. Në këtë drejtim, ky vendim është kundër qeverisë në detyrë Kurti por që prek interesat strategjike të Republikës se Kosovës.
Po ashtu, ky vendim duhet parë edhe si veprim strategjik i ShBA-së dhe mbrojtjes së investimit të tyre në mbi tri dekada për popullin e Kosovës në çlirim, shtetndërtim dhe forcim të rolit ndërkombëtar të Kosovës duke kërkuar ruajtjen e rendit kushtetues dhe juridik të Kosovës, ku garant janë edhe vet ShBA”, thekson Miftaraj.
Sipas tij, ky veprim nga ShBA kërkon reflektim dhe ndryshim të qasjes së institucioneve të Kosovës, duke iu kthyer bashkëpunimit dhe koordinimit me ShBA dhe BE.
Miftaraj theksoi se Kosova pa mbështetjen e ShBA e ka të pamundur të forcoj rolin e saj ndërkombëtar dhe të avancoj në procese euro-atlantike.
Pas deklaratës së Ambasadës amerikane ka pasur reagime të shumta. Përveç reagime nga përfaqësues politik dhe kryetarë të partive politike, kanë reaguar edhe nga sektori ekonomik.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës dhe Oda Ekonomike e Kosovës janë shprehur të shqetësuar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar pa afat Dialogun Strategjik me Kosovën.
Sipas tyre, ky proces ishte paraparë si një mekanizëm i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, nxitjen e investimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Në reagimin e saj, DhTIK rikujtoi se kishte kërkuar që qeveria të hiqte me urgjencë taksën ndaj produkteve amerikane, por hapat e ndërmarrë nga ekzekutivi u vlerësuan si të vonuar dhe joefektivë.
Nga ana tjetër, kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, tha se pezullimi i Dialogut Strategjik është një hap prapa për aspiratat ekonomike e diplomatike të Kosovës. Ai theksoi se krijimi i një imazhi të besueshëm për Kosovën si destinacion i sigurt për investime duhet të jetë prioritet kombëtar.
Rafuna ngriti shqetësimin për mungesën e investimeve të huaja dhe rënien e remitancave nga diaspora, që sipas tij po krijojnë një situatë të vështirë për ekonominë e vendit. Ai përmendi edhe sfidat e liberalizimit të tregut të energjisë, që kanë shtuar barrët për bizneset.
Të dyja organizatat ekonomike apeluan për gjetjen sa më të shpejtë të një zgjidhjeje dhe rikthimin e Dialogut Strategjik me SHBA-të, duke kërkuar gjithashtu konsolidimin e politikave ekonomike për të rikthyer besimin e investitorëve të huaj dhe për të siguruar kushte të qëndrueshme për zhvillim. /Telegrafi/