Gjendja e sigurisë në Kosovë po konsiderohet alarmante. Për dy ditë pesë persona u vranë në tri qytete, Gjilan, Prizren dhe Prishtinë. Tre u ekzekutuan me armë zjarri në Gjilan, një tjetër me thikë në Prizren dhe incidenti i fundit ndodhi mbrëmë në Hajvali, ku një person u qëllua për vdekje me revole, raporton Klankosova.tv.
Kush po e ‘lejon’ krimin në Kosovë, a po dështon shteti në aspektin e sigurisë?
Klankosova.tv ka pyetur lexuesit pas ngjarjeve të rënda që u shënuan në vendin tonë dhe nisën reagimet për ata që kanë përgjegjësi për sigurinë dhe drejtësinë në vendin tonë.
Disa prej tyre akuzuan Prokurorinë dhe Gjykatën, ndërsa të tjerë e drejtuan gishtin edhe kah politika.
Një qytetar tha se “Shteti s’ka kohë me u merr me këto sene, ministrja aktuale e Drejtësisë me mish e me shpirt është tu i dhanë zor me 800 seanca, s’po mun me nxanë ni karrige, e le ma me i drejtu apunët tjera”.
Dikush tjetër e bëri një ndërlidhje me të ‘fortit’ në Kosovë, që sipas tij janë të ndërlidhur me mafian, si dhe me skenën politike.
“Kështu është kur shteti nuk funksionon, politika është e lidhur me mafinë. Dhimbje për të gjithë ata që kanë dhënë jetën për këtë Kosovë që sot është shembull, këso rastesh kurrë nuk i kemi përjetu”.
Për gjithë këto krime, një qytetar kërkoi dorëheqje. Në komentin e tij, ai tha se kurrë më keq Kosova s’ka qenë.
“Kurrë ma keq nuk e kemi pas në Kosovën e pasluftës, të gjithë duhet të japin dorëheqje! Turp për shtetin tonë në çfarë gjendje e kanë sjellë të paditurit.”
The post Pesë të vrarë në dy ditë, qytetarët: ‘Kurrë më keq s’kemi qenë, të gjithë duhet të japin dorëheqje!’ appeared first on Klan Kosova.