Përzgjedhësi i Sllovenisë, Kek thotë se nuk e përjashton mundësinë të marrë info nga Gliha për Kosovën

Përzgjedhësi i Sllovenisë, Kek thotë se nuk e përjashton mundësinë të marrë info nga Gliha për Kosovën

Kombëtarja e Sllovenisë i ka filluar përgatitjet për ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës 2026 ndaj Kosovës, që zhvillohet të premten në Prishtinë.

Përzgjedhësi Matjaz Kek ka përfshirë 27 lojtarë në listë dhe thekson se skuadra duhet të jetë maksimale e përqendruar për të shmangur gabimet, pasi çdo pikë është e rëndësishme për kualifikim.


Kek respekton shumë Kosovën dhe kujton fitoren 2-0 të skuadrës sonë ndaj Suedisë muajin e kaluar, duke e konsideruar atë një shenjë të aftësive të lojtarëve kosovarë.

“Biletat në stadiumin e Prishtinës janë shitur plotësisht, por edhe stadiumet në Slloveni ishin shitur plotësisht. Më pëlqejnë shumë ndeshje të tilla – dhe mezi pres që të fillojnë – sesa të luaj para 1,500 spektatorëve. Premton të jetë një ndeshje që tregon nëse meriton diçka apo jo. Kur flasim për cilësinë individuale të Kosovës, kjo është diçka për t’u analizuar. Sepse Kosova nuk i mundi suedezët rastësisht”, deklaroi Kek, duke treguar respekt të madh për Kosovën dhe tifozët.

Kek e ka pranuar se mund të marrë informacione të dobishme nga bashkëkombësi i tij Primoz Gliha, i cili drejtoi Kosovën për pjesën më të madhe të ciklit kualifikues për Euro 2024 para se të zëvendësohej nga trajneri gjerman Franco Foda.

“Unë besoj se ai e njeh mjedisin mirë. Në kohën e tij ishte specifik, por tani me ardhjen e Franc Fodës është pak më ndryshe. Rrethi i lojtarëve gjithashtu ka ndryshuar pak. Nuk kam folur ende me të, por nuk do të thotë se nuk do të flas. Çdo informacion mund të jetë i dobishëm, megjithëse jemi të vetëdijshëm për atë që na pret në Kosovë”, deklaroi Kek.

Që nga marrja e drejtimit nga Foda, Kosova ka regjistruar 10 fitore dhe 5 humbje në 15 ndeshje, pa asnjë barazim, duke treguar se nuk tërhiqet lehtë dhe se çdo ndeshje ndaj rivalëve evropianë është një sfidë serioze. /Telegrafi/