Përzgjedhësi i Sllovenisë, Kek, do me çdo kusht në ekip – ylli i ekipit refuzon të kthehet në kombëtare

Përzgjedhësi i Sllovenisë, Kek, do me çdo kusht në ekip - ylli i ekipit refuzon të kthehet në kombëtare

Përzgjedhësi i Sllovenisë, Matjaz Kek, ka konfirmuar se Miha Zajc nuk do të rikthehet ende në ekipin kombëtar, pasi vetë lojtari i ka bërë të qartë se dëshiron të përqendrohet plotësisht te karriera e tij me Dinamo Zagrebin.

Mesfushori 30-vjeçar kishte njoftuar tërheqjen e tij nga Kombëtarja e Sllovenisë verën e kaluar, pak para Kampionatit Evropian “Euro 2024”, pasi nuk u përfshi në listën përfundimtare të Kek.


Që nga ajo kohë, Zajc është fokusuar tërësisht në futbollin e klubeve, duke u transferuar nga Fenerbahçe te Dinamo Zagreb, ku ka treguar paraqitje solide.

Miha Zajc, sa ishte te Sllovenia

Së fundmi, Kek ka zbuluar se e ka kontaktuar lojtarin për të diskutuar mundësinë e rikthimit në kombëtare, por përgjigjja e tij ka qenë e prerë.

“E telefonova dhe biseduam në një nivel shumë korrekt për ekipin Kombëtar të Sllovenisë. Ai më bëri të ditur se qëllimi i tij kryesor tani është Dinamo. E kuptoj këtë”.

“Në ekipin kombëtar nuk luhet për Kek apo kundër Kek, por për Slloveninë. Jam i lumtur që Miha po kalon një periudhë të mirë dhe shpresoj që do të arrijë suksesin që dua unë për të – dhe që e dëshiron edhe futbolli slloven për të. Për momentin po shkon në drejtimin e duhur, por për çdo gjë tjetër duhet ta pyesni vetë atë”, deklaroi Kek.

Përzgjedhësi i Sllovenisë, Matjaz Kek

Vendimi i Zajcit për të mos u rikthyer është pritur me keqardhje nga tifozët, por edhe me mirëkuptim, duke qenë se mesfushori po kërkon stabilitet në fazën e re të karrierës së tij në Kroaci. /Telegrafi/