Likoshani dhe Çirezi mbajnë një peshë historike sa të lavdishme, aq edhe të dhimbshme. Këto fshatra dhe banorët e tyre ishin pika e kthesës ku rezistenca paqësore u shndërrua përfundimisht në luftë të hapur çlirimtare.
Te “6 lisat” në Likoshan do të krisnin pushkët e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave serbe.
Edhe më 28 shkurt të vitit 1998, forcat serbe kishin mësy herët në mëngjes këto fshatra të Drenicës për të keqtrajtuar shqiptarët. Por kësaj radhe, ata nuk do të dilnin të gjallë. Kupa ishte mbushur, andaj pjesëtarët e UÇK-së ua kthyen pushkën.
Forcat kriminale serbe, nga frika për t’u përballur me ushtarë të armatosur, mllefin e shfryen mbi popullatën civile, duke kryer një nga masakrat më makabre. Edhe pse aparati serb synonte frikësimin e shqiptarëve, ndodhi krejt e kundërta. Vrasja e 24 civilëve shqiptarë në këto fshatra të Drenicës vetëm sa mobilizoi të gjithë popullin se mbrojtja e vetme ishte rezistenca.
Madje, ngjarjet në Likoshan dhe Çirez i paraprinë Epopesë së Jasharëve në Prekaz, vetëm pak ditë më vonë, më 5 mars. Ato shërbyen si paralajmërim për sakrificën sublime që do të pasonte për çlirimin e vendit.
MAT sjell dokumentarin “Përqafimi i Fundit”, titull ky i bazuar pikërisht te deklarata e plakut nga Çirezi, Sheremetit, të cilit forcat serbe ia vranë katër djem në oborrin e shtëpisë. Para se t’i varroste, ai thotë se u zgjua natën dhe u dha përqafimin e fundit.
Ky është vetëm një nga rrëfimet rrëqethëse.
Po aq e trishtë është edhe tragjedia në familjen Ahmeti, ku forcat serbe vranë dhjetë burra të kësaj familjeje. Ndërkohë, kriminelët serbë nuk kursyen as Rukijen, të cilën e vranë edhe pse ishte shtatzënë në muajin e tetë.
Ndiqeni dokumentarin e plotë të MAT me plot rrëfime rrëqethëse.


