Dorëheqja e Liburn Aliut nga posti i ministrit të Infrastrukturës, pas zgjedhjes së Dimal Bashës kryeparlamentar, ka rikthyer në vëmendje një nga përplasjet e tyre të hapura në Kuvend.
Bëhet fjalë për seancën e 8 dhjetorit të vitit 2022, ku Basha, atë kohë deputet i opozitës, e kishte akuzuar Aliun se po mbron interesat e “mafias së betonit”, lidhur me projektligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje.
“Cili është interesi që një ndërtimtar ta legalizojë ndërtesën? Qikjo s’është parimore, dhe kjo s’duhet me shku përpara”, ishte shprehur Basha para deputetëve.
Ai kishte shtuar se “puna kryesore e këtij ligji është se e bën amnistimin e këtyre keqpërdoruesve që ndonjëherë janë quajtur edhe ‘mafi e betonit’. Këta jo që nuk dënohen por legalizohen”.
Në sallë, Aliu kishte replikuar menjëherë duke i kërkuar Bashës të mos devijonte nga e vërteta, duke kujtuar se ky ligj ishte votuar fillimisht edhe nga vetë Lëvizja Vetëvendosje.
”E para po filloj nga çështja a ka ndryshuar Liburni? Ky ligj në leximin e parë është votu nga Lëvizja Vetëvendosje. Në leximin e dytë, as LVV e LDK nuk e ka votu, për shkak se e ka bojkotuar asokohe PAN-in. Prandaj kur të folni, thuajeni të vërtetën e saktë”, kishte thënë Aliu.
Ai kishte këmbëngulur se qëndrimi i tij ka qenë i njëjtë që nga viti 2018: ”Pra ju sapo thatë që Liburni ka deklaruar ndryshe, e po deklaron sot ndryshe. Atë ditë kam deklaru njëjtë sikurse sot, pra viti 2018, njëjtë e deklaroj edhe sot. Projektligj i padrejtë, por i domosdoshëm”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!