Edhe pse është përfolur si favoriti i Lëvizjes Vetëvendosje për bashkëpunim, kreu i Nismës, Fatmir Limaj, të shtunën u pa duke biseduar përzemërsisht me deputetë të LDK-së, para nisjes së përpjekjes së 53-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Përveç LDK-së, Limaj zhvilloi biseda edhe me përfaqësues të PDK-së, përfshirë Abelard Tahirin, si dhe me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Në sallë, përpara seancës, deputetët po zinin vendet, ndërsa kryesuesi Avni Dehari e nisi takimin me nderimin e disa figurave historike, në përvjetorët e ndarjes së tyre nga jeta.
Ndërkohë, Lista Serbe braktisi sallën në një moment, për t’u rikthyer më vonë. Ish-opozitarët nuk respektuan thirrjen e kryesuesit dhe nuk dhanë propozime për anëtar të Komisionit për votim të fshehtë – një proces kyç për zgjedhjen e kryeparlamentarit. LDK-ja, megjithatë, doli me një kërkesë alternative.
Në këtë atmosferë të tensionuar, AAK-ja zgjodhi ironinë, duke thumbuar kryetarin e Vetëvendosjes. Kur u hodh në votim formimi i trupës së votimit, u siguruan 56 vota pro – numri më i lartë deri tani në përpjekjet për konstituim.
Pas kësaj, kryesuesi Dehari njoftoi për një zhvillim të ri pasdarke. Ai dhe deputetët e Vetëvendosjes e lëshuan sallën, ndërsa pjesa tjetër e partive mbeti në vend. Bashkëkryesuesja Sala Jashari u shpreh se çmimin e bllokadës po e paguajnë qytetarët.
Kreu i partisë së saj, një prej deputetëve më me përvojë në Kuvend, akuzoi VV-në për shkaktimin e një kolapsi politik. Ndërkohë, LDK-ja e cilësoi si “hipokrizi” ardhjen dhe largimin pa veprime të Vetëvendosjes, ndërsa AAK-ja tha se nuk ka asnjë pritshmëri nga seanca e radhës.
Para largimit, deputetët e opozitës u konsultuan për veprimet që do të ndërmarrin pas një pauze 8-orëshe, pasi pritet të rikthehen në sallë vetëm 120 minuta para skadimit të afatit kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit. Pas mesnatës, çdo veprim legjislativ ndalohet deri më 8 gusht.
The post Përpjekjet e fundit, deputetët, dështuan ditën – mblidhen natën (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.