Përparim Rama në tubimin përmbyllës: Mbi 1 mijë projekte, mbi 700 rrugë e 12 shkolla me mësim tërëditor

Përparim Rama në tubimin përmbyllës: Mbi 1 mijë projekte, mbi 700 rrugë e 12 shkolla me mësim tërëditor

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka mbajtur fjalimin e tij në tubimin përmbyllës të LDK-së.

Rama ka thënë se sot del para qytetarë ballëhapur, pasi ka mbajtur fjalën e premtimet.


“Sonte, këtu, përballë jush, jam i mbushur me energji, me emocion e dashni që më keni përcjellë këto javë, e si para katër vitesh ndjej peshën e përgjegjësisë, por edhe krenarinë e një rruge të bërë bashkë. Por, kësaj here me më shumë përvojë, vendosmëri dhe rezultate. Sot, vij përpara jush jo me fjalë, por me fakte. Jo me premtime, por me punë e përkushtim”, tha Rama.

Rama përmendi mbi 1 mijë projekte, 700 rrugë e 12 shkolla me mësim tërëditor.

“Katër vite të mbushura me mbi 1000 projekte që kanë prekur çdo lagje, çdo rrugë, çdo familje. Mbi 700 rrugë të ndërtuara e asfaltuara – arteriet e një qyteti që qarkullon e merr frymë. 12 shkolla me mësim tërëditor, që u kursen prindërve miliona euro e u japin fëmijëve më shumë dituri”, ka deklaruar ai.