Zëdhënësi i qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë shefi i tij Albin Kurti, nuk është duke zbatuar standard të dyfishtë në raport me respektimin e institucioneve të drejtësisë.
Ky reagim i tij vjen pasi paraditen e sotme, kryeministri në detyrë u paraqit në gjykatë për rastin e kërcënimit ndaj tij, ku të dyshuar janë Faton Klinaku nga OVL-UÇK dhe Nuredin Selmani.
Ky veprim i Kurtit u komentua nga eksponentë politikë opozitarë, por edhe nga shoqëria civile, të cilët pjesëmarrjen e tij në Gjykatë e quajtën standard të dyfishtë pasi i njëjti, si kryetar qeverie, nuk iu përgjigj pozitivisht ftesave të Prokurorisë Speciale si dëshmitar për dallaveret e dyshuara me rezervat shtetërore.
Kryeziu ndërkaq tha se paraqitja e Kurtit në Gjykatë për rastin e kanosjes ndaj tij “nuk është kurrfarë standardi i dyfishtë në raport me ftesën nga Prokuroria Speciale”.
“Sa i përket ftesës së Prokurorisë Speciale, kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar që të japë dëshminë e tij. Përkundrazi, ai ka shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe për të respektuar parimin e transparencës dhe llogaridhënies, duke kërkuar që intervistimi të zhvillohet në zyrën e tij, një praktikë kjo që ka ndodhur edhe më parë”.
“Ndërkaq në lidhje me rastin e kanosjes, zyrtarët hetues të autorizuar nga Prokuroria e kanë intervistuar kryeministrin Kurti pikërisht në zyrën e tij më 10 qershor 2025. Sot ai u paraqit në gjykatë si palë e dëmtuar”, u shpreh Kryeziu.
The post Përparim Kryeziu: S’ka standarde të dyfishta të Kurtit ndaj institucioneve të drejtësisë appeared first on Klan Kosova.