Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur të premten dy aktakuza të ndara ndaj dy personave të dyshuar për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.
Prokuroria përmes një komunikate, i identifikoi dy të akuzuarit me inicialet D.B dhe E.B.
Ata akuzohen se kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve fetare, duke propaganduar ideologji ekstreme fetare dhe duke përkrahur publikisht veprimet e Shtetit Islamik, IS.
“D.B dhe E.B., përmes rrjetit social ‘Facebook’ dhe ‘Tik –Tok’, kanë shpërndarë postime me përmbajtje nxitëse, me thirrje për t’iu bashkuar luftërave të armatosura dhe luftës për xhihad”, thuhet në aktakuzë.
Ata dyshohet se kishin vendosur flamuj të IS-it mbi kulmin e shtëpisë së tyre dhe se kishin bërë grafite me shkronja arabe në muret e shtëpisë.
Prokuroria pretendon se këto veprime mund ta kenë prishur rendin publik.
“D.B., sipas provave ka qenë refuzues ndaj të gjithëve që nuk e praktikojnë fenë sipas mënyrës së tij, dhe ka postuar e shpërndarë materiale me gjuhë fyese ndaj shumicës së hoxhallarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës”, sipas aktakuzës.
Prokuroria kërkoi që të dyshuarit me inicialet D.B. t’i vazhdohet masa e paraburgimit, ndërsa atij me inicialet E.B arresti shtëpiak.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!