Me moton “Kjo s’është dashni, është tregti, qytetarë nga xhepi, komuna për qejfi”, Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve organizoi sot një protestë duke kërkuar trajtim më të mirë të qenve endacakë nga Komuna e Prishtinës, shkruan KosovaPress.
Marshi protestues nisi nga sheshi “Skënderbeu” dhe përfundoi tek objekti i vjetër i Komunës, ku protestuesit vendosën edhe banera me mesazhe si, “Qentë janë jetë, jo problem”, drejtësi për qentë, ndal mizorisë, mjaft na hodhët hi syve”, “Nora, ke përgjegjësi ligjore për mirëqenien e qenve”.
Drejtoresha e Fondacionit, Elza Ramadani theksoi se qëllimi i protestës është kërkimi i llogaridhënies nga institucionet për menaxhimin e fondeve publike dhe trajtimin e qenve endacakë.
Ramadani kritikoi Komunën e Prishtinës për mungesë transparence dhe përjashtim të qytetarëve nga proceset vendimmarrëse.
“Ne jemi këtu sot për të kërkuar llogari. Jemi këtu sepse paraja publike nuk është lojë, dhe qenët endacakë nuk janë numra, janë qenie që kanë nevojë për kujdes dhe mbrojtje. Të gjithë ne pajtohemi që qenët endacakë nuk duhet të mbeten në rrugë, pasi përveç rrezikut për qytetarët, edhe vetë qenët janë viktima të abuzimit dhe neglizhencës. Por, për të arritur te një zgjidhje e vërtetë, duhen masa të menduara mirë, të qëndrueshme dhe që adresojnë rrënjën e problemit, jo vetëm pasojat. Komuna e Prishtinës po vepron në mënyrë të njëanshme, duke strehuar qen jashtë standardeve ligjore, pa transparencë dhe pa përfshirje qytetare. Kjo nuk është zgjidhje, është thellim i problemit. Komuna po merret me simptomat, jo me burimin e problemit”, ka theksuar Ramadani.
Derisa ka parashtruat edhe disa kërkesa ndaj autoriteteve përgjegjëse.
“Ne nuk do të heshtim përballë keqmenaxhimit dhe shkeljes së ligjit. Ne kërkojmë, sterilizim/kastrim masiv, për të ulur dukshëm numrin e qenve në rrugë, vetëdijesim dhe mbështetje për familjet që mbajnë qen, që ata të mos braktisen dhe të sterilizohen, vetëdijesim të qytetarëve, për të ulur frikën dhe për t’i përfshirë në zgjidhje të problemit, strehimore që respektojnë ligjin dhe mirëqenien e kafshëve, politika të bazuara në të dhëna, jo në improvizime, përfshirjen e qytetarëve dhe shoqërisë civile në çdo vendim që prek kafshët e pambrojtura të qytetit dhe Kosovës”, ka shtuar ajo.
Kujtojmë, Komuna e Prishtinës nga fundi i vitit 2023 ndan pesëdhjetë euro në muaj për qytetarët që adoptojnë qentë endacakë.
Qytetarët mund të marrin deri në pesë qenë endacakë. Gjobat për qytetarët që i keqtrajtojnë qentë e adoptuar variojnë nga një mijë deri në tre mijë euro. Komuna e Prishtinës deri më tash ka ndarë miliona euro për adoptimin e qenve endacakë./kp/
The post Përmes protestës kërkohet trajtim më i mirë i qenve endacakë appeared first on Klan Kosova.