Përfundon Maratona Prishtina 2025, këta janë fituesit

Përfundon Maratona Prishtina 2025, këta janë fituesit

Maratona Prishtina që sivjet mbajti edicionin e 25-të, ishte e ndarë në 10 kategori me rreth 1800 garues në total.

Në garë, përveç qytetarëve të Kosovës, morën pjesë edhe garues nga Evropa dhe bota.


Fituesit e maratonës së plotë 42 km ishin nga Kenia.

Shedrack Kiptoo Kimaiyo, Benard Kiprotich Too dhe Kennedy Kipkemoi Rono ishin tre vendet e para në kategorinë maratonë-meshkuj.

Edhe në kategorinë maratonë-femra, Chelangat Sang, Rose Jepchumba dhe Lina Kaion ishin në tre vendet e para po ashtu nga Kenia. Ata ishin të kufizuar të flasin, pasi menjëherë pas garës shkuan për t’i bërë testet anti-doping.

Garues në Maratonë ishte edhe kryetari i Alancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se tradicionalisht çdo vit merr pjesë në këtë garë.

“Po jam lodhur. 21.3 km, gjysmë maratone, besoj se 2 orë e 32,33 minuta. Tradicionalisht çdo vit marrë pjesë në maratonë edhe pse nuk është disiplina ime sepse unë nuk vrapoj në asfalt, zakonisht i bëj në natyrë, trial dhe hiking por këtë e bëj për qejf sepse është në Prishtinë. Sivjet ka pasur shumë garues. I uroj të gjithë garuesit edhe uroj që vitin tjetër të ketë edhe më shumë. E bëj edhe gjysmë maratonën e Tiranës, është më 19 tetor. Vetëm këto të dyja i bëj, gjysmëmaratonën e Prishtinës dhe Tiranës, nuk shkoj në gara të tjera por këto të dyja nuk i mungoj asnjëherë. Urime të gjithëve.”, tha ai.

Micha Noe, një garues nga Gjermania tha se pretendon të marrë pjesë edhe në maratonën në Tiranë dhe se do të marrë pjesë edhe vitin tjetër nëse gjendet në Prishtinë në atë kohë.

“Emri im është Micha nga Gjermania dhe sot vrapova maratonën. Kam qenë në Prishtinë, kjo është hera ime e tretë. Vitin e kaluar verës dhe në 2023 në dimër. Vrapova maratonën e plotë 42 km. Koha ime ishte besoj 2 orë e 57 minuta, jam i lumtur me këtë. Me gjasë do të marrë pjesë prapë në maratonë vitin tjetër, po mundohem edhe të shkoj në Tiranë për maratonën atje. Por nëse jam këtu vitin tjetër pse jo, dhe shpresoj patjetër për një kohë më të mirë.”, tha ai.

Kurse, Erzen Zeberaj, kampion i Kosovës në vrapime malore, distanca të gjata, tha se edhe pse nuk është disiplina e tij, ai prapë ka dëshirë të vrapoj këtë maratonë.

“Sot i bëra 42 km, do të thotë maratonë e plotë me rezultat prej 2 orë e 40 minuta, me renditje i pesti, ndërsa në nivel vendor i pari. Unë jam vrapues i rregullt, marrë pjesë nëpër gara kryesisht vrapime malore por kur kam mundësi marrë pjesë edhe në vrapimet e rrafshit në asfalt.”, tha Zeberaj.

Çmime po ashtu do të ndahen edhe për tetë kategoritë tjera; Gjysmë maratonë- femra, gjysmë maratonë-meshkuj, 10 km-femra, 10 km-meshkuj, 5 km-meshkuj, 5km-femra dhe kategoria PAV, për persona me aftësi të kufizuara- meshkuj dhe PAV-femra./KP/