Fushata për zgjedhjet lokale nis zyrtarisht të shtunën dhe do të zgjasë një muaj.
Në prag të saj, Telegrafi ka zhvilluar një seri diskutimesh me kandidatët për kryetar të Prishtinës në “Përballje Podcast”, shkaku i rëndësisë si kryeqytet dhe rregullimit me ligj të veçantë.
Ky format është realizuar për t’u ofruar qytetarëve mundësinë të njihen nga afër me projektet, planet dhe vizionet e secilit kandidat, duke ofruar një qasje që njihet si gazetari konstruktive dhe e orientuar kah zgjidhjet.
Në qendër të këtyre bisedave kanë qenë temat që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve: trafiku urban, mbeturinat, qentë endacakë, blerja e autobusëve të rinj, ndriçimi dhe çështja e banimit.
Çka deklaruan kandidatët?
Përparim Rama (LDK)
Kryetari aktual e sheh besimin e qytetarëve si indikator të suksesit të mandatit të tij të parë. Ai përmendi projektet që sipas tij janë realizuar, duke theksuar se Prishtina është shndërruar në qytet me energji pozitive dhe atmosferë shprese.
Rama kritikoi gjithashtu bllokadat nga niveli qendror, veçanërisht për projektin në sheshin “Xhorxh Bush”, që sipas tij vonojnë zhvillimin e kryeqytetit.
– YouTube www.youtube.com
Hajrulla Çeku (LVV)
E vendosi theksin tek vizioni “Prishtina 2035” si një qytet funksional, me fokus në trafikun urban, pastërtinë, menaxhimin e mbeturinave dhe zgjidhjen e problemit të qenve endacakë.
Çeku përmendi zhvillimin ekonomik përmes turizmit, teknologjisë së informacionit dhe lidhjes së arsimit me tregun e punës, si dhe politika sociale për barazi dhe përfshirje.
– YouTube www.youtube.com
Uran Ismaili (PDK)
Tha se motivimi për rikthimin në garë lidhet me nevojën për qeverisje në shërbim të qytetarëve. Prioriteti kryesor i tij është trafiku, me plan për autobusë të rinj, lëvizje çdo 7 minuta, pastrim, ndriçim dhe parkingje.
Ismaili kritikoi premtimet boshe dhe konfliktet politike, duke ofruar qeverisje konkrete dhe të përkushtuar.
– YouTube www.youtube.com
Bekë Berisha (AAK)
Ishte kundër “premtimeve fantastiko-shkencore”, duke thënë se qytetarët kërkojnë shërbime bazike dhe rezultate të prekshme: nga pastrimi e mbeturinat te siguria me policë në pension. Premtoi ndërhyrje praktike si tuneli për trafikun, identitet kulturor për qytetin dhe siguri për fëmijët në shkolla.
– YouTube www.youtube.com
Besa Shahini (PSD)
Kandidatja e vetme grua në këtë garë prezantoi tri prioritete: arsim publik cilësor, korridore të gjelbërta që lidhin lagjet dhe banim të përballueshëm. Ajo ngriti si shqetësim çmimin e lartë të qirasë dhe shitjes së banesave në Prishtinë, duke paralajmëruar politika të dedikuara për këtë fushë.
– YouTube www.youtube.com
Çdo kandidat paraqet një vizion të ndryshëm për Prishtinën:
Përparim Rama kërkon vazhdimësi të projekteve dhe ruajtje të atmosferës pozitive.
Hajrulla Çeku ofron strategjinë afatgjate Prishtina 2035 dhe klimë bashkëpunimi
Uran Ismaili propozon qeverisje konkrete me menaxhim trafiku dhe shërbime efikase.
Besa Shahini ofron politikë për cilësi jete, lidhje urbane dhe banim të përballueshëm.
Bekë Berisha premton zgjidhje praktike për shërbime bazike dhe siguri publike.
Në garë janë për Prishtinën janë edhe Merkur Beqiri nga Alternativa e Fatmir Selimi si kandidat i pavarur, programet e të cilëve do të prezantohen gjatë fushatës. /Telegrafi/.