Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, akuzoi ministren në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për refuzimin e kërkesave të Fondacionit “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit”, pas publikimit të kronikës në Klan Kosova.
Në kronikën e gazetares Rina Mujku, për kërkesën urgjente drejtuar Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, thuhet që Hashim Thaçi ka rrezik të mbetet edhe pa pasuesin e tij në krye të mbrojtjes, kroatin Misetiq.
Behrami u reagoi ashpër Haxhiut dhe ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Muratit, që sipas tij, me partinë e tyre, Vetëvendosjen, e shohin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë mercenarësh.
“Ky ekonomisti, i konvertuar përkohësisht në jurist, Hekuran Murati, nuk kish haber për këto kërkesa. Pse me pasë? UÇK-ja, në botëkuptimin e Hekuranit dhe VV-së, edhe ashtu është një organizatë mercenarësh!
Këta okupues të institucioneve, kur është fjala për familjarët e Fitore Pacollit, janë shumë zemërgjerë. Dhe shumë aktivë për të amnistuar Martinat, Nagipat dhe oligarkë të tjerë. “
Ai tha se për “Për UÇK-në nuk kanë para! Madje as fjalë të mira.“
Megjithatë, deputeti i PDK-së tha se VV dhe Specialja, do ta humbin këtë betejë.
“Edhe atë në fazën më të rëndësishme të procesit, kur dëshmitarët e mbrojtjes do të jenë përcaktues për fitoren e krerëve të UÇK-së.
Por, nashtë!
Mirë që gjërat dalëngadalë po bëhen të qarta.
Lirisht zhvishni kostumet me stemë të Republikës së Kosovës dhe vishni ato të Gjykatës Speciale.
Me dhe pa mbështetje, ju dhe Gjykata Speciale betejën për ndërrim të historisë keni me humbë!”, shkroi ai.
Klan Kosova priti 3 javë që të mësojë nga Qeveria dhe dikasteri i drejtësisë, përgjigjen zyrtare për fondacionin, por pati vetëm deklarime të shkurta nga ministrat në detyrë./Klankosova.tv
The post “Për UÇK-në s’kanë para”, Behrami: Haxhiu refuzoi kërkesat për mbrojtjen juridike të Thaçit appeared first on Klan Kosova.