Çfarë gabimi bëjmë më shpesh në mëngjes – dhe pse mund të jetë fatal për shëndetin
Një nga gabimet më të zakonshme që bëjmë në rutinën e mëngjesit është fillimi i ditës me kafe, në vend që t’i japim trupit ujë. Shumëkush nuk e kupton se ky zakon i përditshëm, i padëmshëm në dukje, mund të rrisë ndjeshëm rrezikun për sulme në zemër dhe goditje në tru.
Pse ndodh kjo?
Në orët e para të mëngjesit, gjaku është më i trashë, për shkak të mungesës së lëngjeve gjatë natës. Pikërisht për këtë arsye, sipas studimeve kardiologjike, shumica e infarkteve dhe goditjeve në tru ndodhin herët në mëngjes. Trupi ka nevojë urgjente për ujë për të holluar gjakun dhe për të aktivizuar qarkullimin.
Por çfarë bëjmë shpesh? Në vend të ujit, konsumojmë menjëherë kafe. Dhe këtu qëndron problemi: kafeja është diuretik – një filxhan kafe bën që trupi të nxjerrë deri në 6–7 herë më shumë ujë sesa ka marrë. Rezultati është dehidratimi i mëtejshëm, trashja e gjakut dhe një barrë e shtuar mbi zemrën dhe enët e gjakut, transmeton Telegrafi.
Pasojat afatgjata
Konsumimi i përditshëm i kafesë në këtë mënyrë, pa ujë të mjaftueshëm, krijon një paradoks: në vend që trupi të marrë lëngje për të shpëlarë indet dhe për të larguar toksinat, gjaku bëhet edhe më i trashë, enët e gjakut humbasin elasticitetin dhe bëhen më të forta e më të brishta.
Me kalimin e viteve, ky cikël çon në dëmtim kronik të sistemit kardiovaskular, duke rritur ndjeshëm rrezikun për hipertension, aterosklerozë, infarkt miokardi dhe goditje cerebrale.
Mjekësia moderne thekson: njeriu është aq i vjetër sa të vjetra janë enët e tij të gjakut. Pa ujë të mjaftueshëm, indet përreth enëve dëmtohen, gjaku nuk qarkullon siç duhet dhe zemra detyrohet të punojë më fort.
Në situata të tilla, shpesh pacientëve u përshkruhen diuretikë për të ulur tensionin, gjë që e përkeqëson edhe më shumë mungesën e ujit në trup. Kështu krijohet një rreth vicioz, ku organizmi humb gjithnjë e më shumë lëngje vit pas viti.
Çfarë thonë ekspertët
Mayo Clinic dhe Harvard Health theksojnë se hidrimi i rregullt është i domosdoshëm për ruajtjen e shëndetit të zemrës dhe për parandalimin e komplikimeve kardiovaskulare.
Sipas European Society of Cardiology, personat që pijnë mjaftueshëm ujë kanë rrezik më të ulët për hipertension dhe sëmundje koronare.
Studime të publikuara në Journal of the American Heart Association kanë treguar se dehidratimi i përsëritur lidhet me rritje të presionit të gjakut dhe dëmtim të arterieve në afatgjatë.
Çfarë të bëjmë?
▪ Fillojeni ditën me një gotë të madhe ujë para kafesë.
▪ Mos e konsumoni kafenë me stomakun bosh dhe gjithmonë shoqërojeni me ujë.
▪ Sigurohuni që gjatë ditës të pini mjaftueshëm lëngje (1.5–2 litra ujë, varësisht nga aktiviteti fizik dhe kushtet klimatike).
▪ Dëgjoni trupin tuaj: dhimbja e kokës, lodhja dhe rënia e përqendrimit shpesh janë shenja të dehidratimit, jo vetëm të mungesës së gjumit.
/Telegrafi/