Save the Children Kosova/o, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, organizon Simpoziumin për Mbrojtjen me temën “Fuqizimi i Praktikave të Mbrojtjes së Fëmijëve dhe të Rriturve të Cënueshëm dhe Rritja e Ndërgjegjësimit të Komunitetit në Kosovë.”
Ngjarja e cila buron nga zbatimi i Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës në Kosovë do të mbledhë së bashku përfaqësues nga institucionet qendrore dhe lokale, akademia, agjencitë ndërkombëtare, organizatat joqeveritare, ofruesit e shërbimeve sociale, mësimdhënësit, punonjësit shëndetësorë dhe liderët e komunitetit, për të avancuar kuptimin dhe zbatimin e praktikave të mbrojtjes që garantojnë sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve dhe të rriturve të cenueshëm në Kosovë.
Simpoziumi synon të shërbejë si një platformë për ndarjen e njohurive, diskutimin e praktikave më të mira dhe identifikimin e strategjive që forcojnë përpjekjet për mbrojtje dhe parandalim të dëmtimit, abuzimit dhe shfrytëzimit.
Diskutimet do të fokusohen në rëndësinë e masave parandaluese, bashkëpunimin ndërsektorial dhe përfshirjen aktive të komuniteteve, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës dhe standardet ndërkombëtare.
Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të thellojnë njohuritë mbi:
- Standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rriturve të cenueshëm;
- Rolin e shkollave, qendrave për punë sociale, institucioneve shëndetësore dhe qendrave komunitare në krijimin e mjediseve të sigurta;
- Praktikat e suksesshme të ndërgjegjësimit dhe angazhimit të komunitetit;
- Zhvillimin e zgjidhjeve praktike të përshtatura për kontekstin e Kosovës, duke marrë parasysh sfidat sociale, kulturore dhe ekonomike.
Ngjarja do të përbëhet nga fjalime hyrëse, prezantime të praktikave globale dhe rajonale, panele diskutimi mbi pabarazinë sociale, dhunën me bazë gjinore dhe reformat institucionale, si dhe sesione mbi kornizën ligjore të mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë.
Gjithashtu, do të prezantohen histori suksesi nga zbatimi i politikave dhe praktikave të mbrojtjes në nivel shkollor, institucional dhe komunitar.
Simpoziumi do të mbahet më 17 shtator 2025 në Fakultetin e Edukimit, Universiteti i Prishtinës nga ora 09:00 – 15:30.