Gjykata e Apelit ka pranuar sërish ankesë lidhur me vendimin për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarve- rreshterit Ibrahim Nela dhe zyrtarëve policorë: Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri, për shkak të dyshimit se kanë kryer vepër penale “vrasje nga pakujdesia” ndaj 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan.
Laureta Ulaj, zëdhënëse e Apelit ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se ankesa është pranuar më 25 korrik 2025.
“Ju njoftojmë se lënda me ankesë lidhur me këtë çështje është pranuar më 25.07.2025, në Gjykatën e Apelit dhe ka marrë shenjën PN1.DP.nr.1081/2025”, thuhet në përgjigje.
Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë- Dega në Lipjan më 9 korrik 2025 ua kishte caktuar paraburgimin për një muaj pesë të dyshuarve.
Edhe në rivendosje, Themelorja më 23 korrik 2025 kishte vendosur sërish që të dyshuarit të mbeten në paraburgim.
Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.
The post Për herë të dytë shkon në Apel çështja e paraburgimit të policëve për rastin e 27-vjeçarit në Lipjan appeared first on Klan Kosova.