Kryekuvendari i Shqipërisë, Niko Peleshi, në kuadër të diplomacisë parlamentare po zhvillon një vizitë zyrtare në Gjermani. Kryetari Peleshi u prit sot nga Presidentja e Bundestagut, Julia Klöckner.
Vizita u përqendrua në thellimin e bashkëpunimit parlamentar dhe forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe mbështetjen e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Gjatë takimit, u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, të cilat karakterizohen nga një dialog i intensifikuar politik dhe mbështetje e vazhdueshme e Gjermanisë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Kryetari Peleshi shprehu mirënjohjen për rolin kyç të Gjermanisë në mbështetjen e reformave, veçanërisht në fushat e drejtësisë, demokracisë dhe legjislacionit zgjedhor.
Gjatë takimit u nënvizua mbështetja e Gjermanisë si një faktor vendimtar për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. U theksua nevoja për një proces zgjerimi të bazuar në merita dhe për vazhdimin e reformave të thella në vend.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe bashkëpunimi ndërparlamentar, i cili është shumë aktiv, me shkëmbime të rregullta vizitash dhe intensifikim të kontakteve mes grupeve të miqësisë dhe komisioneve parlamentare. U theksua rëndësia e vijimit të këtyre shkëmbimeve për avancimin e agjendës europiane të Shqipërisë dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të Kuvendit.
Gjermania u vlerësua si një nga partnerët kryesorë ekonomikë të Shqipërisë, me rritje të ndjeshme të investimeve e shkëmbimeve tregtare gjatë viteve të fundit. Kryetari Peleshi shprehu gatishmërinë për të përmirësuar më tej klimën e biznesit dhe për të tërhequr më shumë investime gjermane në sektorë kyç si energjia, industria, teknologjia dhe turizmi, raporton Tch, transmeton Klankosova.tv.
Gjithashtu, palët diskutuan zhvillimet në rajon dhe sfidat e sigurisë e të paqes, duke theksuar rolin e rëndësishëm të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë. U riafirmua angazhimi i të dy vendeve në mbështetje të Ukrainës dhe në përputhje me politikat e përbashkëta të NATO-s dhe BE-së.
Vizita e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë në Berlin konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e partneritetit Shqipëri-Gjermani, mbëshetjen e anëtarësimit në BE dhe avancimin e bashkëpunimit parlamentar, politik dhe ekonomik mes dy vendeve.


