
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Hotelerisë për muajin tetor 2025.
Peja konfirmohet si destinacioni kryesor i turizmit të brendshëm në vend, duke lënë pas të gjitha rajonet tjera për nga numri i vizitorëve vendorë dhe net-qëndrimeve.
Gjatë tetorit 2025, Rajoni i Pejës regjistroi numrin më të madh të vizitorëve vendorë në hotele, me gjithsej:
7 878 vizitorë vendorë
29 160 net-qëndrime
Këto shifra e vendosin Pejën në krye të listës së destinacioneve më të vizituara në vend, duke reflektuar qartë interesimin e lartë të kosovarëve për bukuritë natyrore të Rugovës, ofertën malore, aktivitetet rekreative dhe zhvillimin e vazhdueshëm të infrastrukturës turistike në këtë rajon.
Në total, hotelet e Kosovës pritën 60 737 vizitorë në tetor 2025 – një rritje prej 5,5% krahasuar me tetorin 2024.
Nga ta, 40,2% ishin vendorë dhe 59,7% të huaj.
Numri i net-qëndrimeve arriti në 142 672, duke shënuar po ashtu një rritje krahasuese nga viti i kaluar.
Edhe numri i vizitorëve të huaj u rrit me 5,2%, duke arritur 36 283 vizitorë, kryesisht nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Turqia.
Megjithatë, të dhënat tregojnë qartë se turizmi i brendshëm gjatë tetorit është i orientuar fuqishëm drejt Pejës – rajoni me kombinimin më të balancuar të natyrës, aktiviteteve outdoor dhe kapaciteteve hoteliere./Telegrafi/


