Në qendrën e votimit në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit”, në Pejë gjithçka është gati për të nis procesi zgjedhor për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në këtë qendër votimi pas pak pritet të votojë kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.
Menaxherja e kësaj qendre, Mejteme Kolica-Shatri tha se materiali sensitiv ka ardhur me kohë dhe tashmë pesë vendvotimet janë gati për tu zhvilluar votimi.
Ajo tha se në këtë qendër votimi kanë të drejtë vote 4 mijë e 84 votues.
“Sot çdo gjë ka filluar me kohë, materiali është marrë me kohë klasat janë të përgatitura për të filluar punën..5 klasa janë në dispozicion dhe janë të qasshme për te gjithë qytetarët prej këtij momenti. Numri i votuesve në Shkollën tonë ‘Lidhja e Prizrenit’ në Pejë është 4084”, tha ajo.
Si shqetësim ajo ngriti mungesën e tavolinës informuese dhe mos angazhimi i punëtorit teknik.
“Mangësi është tavolina, por nuk është hera e parë vitin e fundit nuk ka qenë në muajin shkurt dhe tani prapë tavolina informuese mungon qysh ka qenë përpara…si shqetësim e kemi se i patëm angazhuar dhe i kemi dërguar të dhënat pasi i kanë kërkuar për punëtorë teknik dhe menaxherin e shkollës një ditë para fillimit të zgjedhjeve marrin informacion që punëtorët teknik nuk do të marrin pjesë është dashur me qenë se këtu është në pyetje pastërtia fikja e rrymës çështje teknike dhe punëtori teknik besoj qe kishte me qenë në dispozicion edhe pse janë kërkuar qe të largohen nga ditë mos të marrin pjesë vullnetarisht ka ardhur punëtori teknik”, tha ajo.
Në zgjedhjet e rregullta lokale të 12 tetorit në qytetin e Pejës të drejtë vote kanë 122 mijë e 99 votues, prej tyre 120 mijë e 204 janë votues brenda Kosovës dhe 1897 votues jashtë Kosovës.
Kjo komunë ka gjithsej 30 qendra të votimit me gjithsej 139 vendvotime dhe 1 qendër e votimit me kusht. /Telegrafi/