Pedri është gjithnjë e më shumë një figurë kyçe për Barcelonën. Nga statistikat mbresëlënëse të pasimeve, deri te ambicia e tij për të fituar Topin e Artë, mesfushori kanarian është shndërruar në një nga simbolet e lojës së katalanasve.
E megjithatë, historia e tij mund të kishte marrë një tjetër rrjedhë, pasi në vitin 2018 ai provoi për pak fatin e tij me Real Madridin.
“Le të shpresojmë që Pedri Potter të mos sjellë një shkop magjik”. Këto ishin fjalët me humor të Luis Enrique, para supersfidës Barcelona – PSG. Ky ndoshta është përshkrimi më i thjeshtë e i saktë i talentit të tij. Pedri është një lojtar që i jep jetë skuadrës, një magjistar i fushës që i bën tifozët të ëndërrojnë.
Zemra e lojës së Barcelonës
Në zemër të Blaugranëve qëndron gjithmonë Pedri. Vetëm këtë sezon, ai ka kompletuar 701 pasime në La Liga – plot 211 më shumë se Alvaro Carreras, i dyti në këtë renditje të veçantë.
Në pesë ligat kryesore evropiane, i vetmi që mund t’i afrohet këtij rekordi është Vitinha i PSG-së, me 621 pasime në Ligue 1. Një duel i vërtetë brenda vetë duelit që pritet mes Barcelonës dhe parisienëve.
Pedri shkëlqeu edhe në debutimin e Barcelonës në Ligën e Kampionëve këtë sezon, në “St. James’ Park”. Kundër Newcastle, ai kompletoi 20 pasime, katër prej tyre pasime depërtuese përtej mbrojtjes. Sipas të dhënave të Optas, asnjë mesfushor tjetër nuk u shfaq më i saktë dhe më vendimtar në ato dy statistika në xhiron e parë të fazës së grupeve.
Pedri, zemra e Barcelonës
I pazëvendësueshëm për Hansi Flick
Kjo është arsyeja pse trajneri Hansi Flick nuk heq dorë prej tij. Që nga ardhja e gjermanit në krye të Barcelonës, Pedri ka munguar vetëm në një ndeshje – kundër Valencias në janar.
Në 68 paraqitje nën drejtimin e tij, ai është bërë lojtari më i pazëvendësueshëm, zemra dhe shpirti i lojës së Blaugranëve. Jo rastësisht tifozët e duartrokitën në këmbë në ndeshjen kundër Real Sociedad, duke i dhënë atij respektin që meriton.
Shpesh edhe kapiten i Barcelonës
Nga makthi i lëndimeve te rilindja
Rruga e Pedrit nuk ka qenë e lehtë. Në sezonin e tij të parë te Barcelona ai zhvilloi plot 73 ndeshje, duke përfshirë paraqitjet në Euro 2020 dhe Lojërat Olimpike.
Por pas asaj periudhe të mbingarkuar, erdhën vitet e vështira: plot 85 ndeshje të humbura për shkak të lëndimeve në tri sezonet e ardhshme. Vetëm me ardhjen e Flick ai e gjeti qetësinë dhe freskinë e munguar.
“Më në fund ndihem i lirë. Tani luaj pa presion dhe ndihem shumë më rehat”, u shpreh Pedri së fundmi.
Pedri, lider te Barcelona
Një ëndërr e madhe: Topi i Artë
Pedri nuk e fsheh ambicien e tij. Ai ka përfunduar në vendin e 11-të në renditjen e Topit të Artë këtë vit, por synimi i tij është i qartë.
“Për një kohë të gjatë, ky çmim u jepej vetëm sulmuesve. Fitorja e Rodrit tregon se edhe mesfushorët po marrin vlerësimin e duhur. Ëndrra ime është ta fitoj atë brenda 10 viteve të ardhshme, bashkë me Kupën e Botës”, deklaroi spanjolli.
Pedri dhe ëndrra për ‘Topin e Artë’
Shansi i humbur me Real Madridin
Por historia e Pedrit mund të kishte qenë krejt ndryshe. Në vitin 2018, ai pati një provë me Real Madridin. Për shkak të reshjeve të dendura të dëborës, arriti të luante vetëm dy herë dhe nuk e bindi klubin madrilen. Për shumë kë, ishte një shenjë fati.
“Më thanë se nuk isha në nivelin e duhur. I falënderoj ata që më thanë se nuk do t’ia dilja, sepse sot jam në klubin që e kam dashur gjithmonë. Të veshja fanellën e Real Madridit ishte e çuditshme”, kishte thënë Pedri.
Pedri, ishte në prova te Real Madridi
Sot, ai është një nga liderët e Barcelonës dhe i gatshëm për një tjetër natë të madhe në Ligën e Kampionëve. Pa shkop magjik, por me talentin e tij të pastër, Pedri është bërë pikë referimi për të tashmen dhe të ardhmen e katalanasve. /Telegrafi/