Një ditë pas njoftimit të Prokurorisë për grumbullimin e informacioneve lidhur me vjedhje të mundshme votash në Mitrovicë, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të kësaj komune, Faton Peci, ka paralajmëruar padi penale ndaj disa gazetarëve dhe pronarëve të kompanive që publikuan rezultatet e exit-polleve, të cilat e shpallën kundërkandidatin e tij fitues në zgjedhjet e së dielës.
“Pas analizës së thellë të procesit zgjedhor në Mitrovicën e Jugut dhe shqyrtimit të dëshmive e argumenteve të manipulimeve dhe ndikimit të palejueshëm e kriminal në votën e qytetarëve, njoftojmë opinionin se do të dorëzojmë padi penale ndaj personave të mëposhtëm”, shkroi Peci në Facebook, duke përmendur emra si Baton Haxhiu, Berat Buzhala, Lirim Mehmetaj, Ilir Mirena, Valon Syla, Ermal Panduri, Valon Feka, Shkumbin Kajtazi dhe të tjerë.
Sipas Pecit, padi do të ngriten për dyshimet mbi cenimin e përcaktimit të lirë të votuesve, të sanksionuar me nenin 210, dhe për falsifikimin e rezultateve të votimit sipas nenit 216 të Kodit Penal të Kosovës.
Në reagim ndaj këtij paralajmërimi, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka cilësuar nismën e Pecit si sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe përpjekje për intimidim të gazetarëve.
“Ky akt i zotit Peci është sulm brutal ndaj lirisë së raportimit në Kosovë dhe përpjekje për të dekurajuar punën e gazetarëve. AGK e sheh këtë veprim si tentativë për ta zhvendosur betejën politike në mediale, gjë që është e papranueshme”, thuhet në reagimin e asociacionit.
AGK theksoi se kjo nuk është hera e parë që Peci sulmon publikisht mediat dhe gazetarët, duke e ftuar atë të heqë dorë nga praktika të tilla që dëmtojnë demokracinë dhe lirinë e shprehjes në vend./Telegrafi/