Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se ka pranuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili ka refuzuar kundërshtimin e tyre administrativ ndaj vendimit që detyron mbi 1,300 biznese vendore të kalojnë në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Në njoftimin e PDK-së thuhet se ky është një hap që rrezikon mijëra vende pune dhe cenon seriozisht stabilitetin ekonomik të vendit.
“Ky është një vendim thellësisht i padrejtë, joprofesional, i njëanshëm dhe skajshmërish politik në thelb. ZRRE, që duhet të jetë një institucion në shërbim të qytetarëve dhe ekonomisë së vendit, ka zgjedhur t’i mbyllë sytë para pasojave katastrofike të këtij vendimi për sektorin privat – shtyllën kryesore të zhvillimit ekonomik dhe punësimit në Kosovë”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Ndër tjera, ky subjekt politik thekson se çështjen në fjalë do ta dërgoj edhe në gjykatë.
“Ne e kemi ngritur zërin dhe do të vazhdojmë ta ngremë. Lufta jonë nuk ndalet me një letër refuzuese. Lufta jonë është për të drejtat e bizneseve që mezi mbijetojnë në një klimë të vështirë ekonomike. Lufta jonë është për punëtorët, për rrogat e tyre, për mirëqenien e familjeve të tyre”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
“PDK njofton se këtë betejë të drejtë do ta vazhdojë në Gjykatë. Jemi të bindur se e drejta është në anën tonë dhe nuk do të ndalemi përballë asnjë institucioni që zbaton politika të dëmshme, pa ndjeshmëri sociale e pa përgjegjësi shtetërore”.
PDK shton se është me zërin e më shumë se 150 mijë punëtorëve të sektorit privat, “të cilët përballen sot me rrezikun e humbjes së vendeve të punës për shkak të faturave të papërballueshme të energjisë”. /Klankosova.tv
The post PDK: ZRrE në shërbim të monopolëve, jo të qytetarëve – nisëm betejën ligjore për drejtësi appeared first on Klan Kosova.