Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka nisur fushatën e tij zgjedhore me moton “Koha për Prishtinën”, duke prezantuar pesë zgjidhje që sipas tij do ta nxjerrin kryeqytetin nga kaosi aktual.
Pesë shtyllat kryesore të programit janë:
Zhbllokimi i trafikut brenda 18 muajve
Rrugë të sigurta, 24/7
Lagje të pastra, 24/7
Prej betonit te komuniteti
Prishtina e së ardhmes
Ismaili tha se qytetarët meritojnë zgjidhje konkrete e të matshme, duke shtuar se “Prishtina nuk ka më kohë për inate, por për punë dhe zhvillim”.
Në kuadër të zhbllokimit të trafikut, ai premtoi 100 autobusë të rinj, 60 semaforë shtesë, pesë parkingje “Park & Ride” dhe ngritjen e një qendre moderne dixhitale për menaxhimin e trafikut.
Për sigurinë në lagje, programi parasheh ndriçimin e mbi 1,000 rrugëve, 450 km trotuare të reja, 200 oficerë sigurie në shkolla e lagje, si dhe trajtim human për 5,000 qen endacakë.
Sa i përket pastërtisë, ai prezantoi shtimin e 60 kamionëve për mbeturina, 2,100 kontejnerë të rinj, si dhe hapjen e një deponie për mbeturina voluminoze dhe ndërtimore.
Në pjesën e kthimit të hapësirave publike për komunitetin, Ismaili premtoi pezullim gjashtëmujor të lejeve të reja të ndërtimit, mbjelljen e 100 mijë drunjve dhe krijimin e një parku brenda 300 metrave nga çdo shtëpi.
Ndërkaq, për Prishtinën e së ardhmes, ai prezantoi planin për transformimin e Pallatit të Rinisë në kampus për Teknologji dhe Kulturë, hapjen e 10 qendrave “Future Hubs”, dyfishimin e çerdheve publike dhe krijimin e hapësirave komunitare në çdo lagje.
“Ky është vizioni im për Prishtinën: një qytet që funksionon ditë e natë, për çdo lagje dhe për çdo qytetar,” u shpreh Uran Ismaili.