PDK kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga KQZ në Malishevë: Procesi i numërimit po rrezikohet

news image

Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësime serioze për mënyrën e zhvillimit të procesit të verifikimit dhe numërimit të fletëvotimeve në komunën e Malishevës.

Sipas reagimit të degës së PDK-së në këtë komunë, në qendrën e verifikimit janë vërejtur kandidatët për Kuvend Komunal nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Safet Morina dhe Hafir Rexha, të cilët, sipas PDK-së, kanë qenë të pranishëm në ambientet ku kjo është e ndaluar me ligj dhe rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

PDK konsideron se këto veprime përbëjnë “shkelje flagrante” që mund të komprometojnë integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e qytetarëve të Malishevës.

Postimi i plotë:

Procesi i verifikimit dhe numërimit të fletëvotimeve në Malishevë po rrezikohet!

Në qendrën e verifikimit të fletëvotimeve në Malishevë është vërejtur prezenca e kandidatëve për Kuvend Komunal nga subjekti Nisma Socialdemokrate, Safet Morina, Hafir Rexha, gjë që është rreptësisht e ndaluar me ligj dhe me rregullat e KQZ-së!

Përveç tyre, persona të paautorizuar, struktura të Nismës dhe portale të afërta me ta po lëvizin lirshëm në hapësira të rezervuara vetëm për komisionerë dhe vëzhgues të certifikuar, duke e vënë në dyshim integritetin e procesit zgjedhor.

Kjo është shkelje flagrante, që rrezikon të komprometojë vullnetin e qytetarëve të Malishevës!

Kërkojmë ndërhyrje të menjëhershme nga KQZ-ja dhe organet përgjegjëse për ta ndalur këtë ndërhyrje të papranueshme dhe për të garantuar numërim të ndershëm, transparent dhe të drejtë.

Vota e qytetarëve është e shenjtë — mos lejoni që të nëpërkëmbet!

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/