Në shikim të parë, ngjan me një investim ndërtimi për banesa apo një kantier të zakonshëm.
Mirëpo, këtu ishte planifikuar të ndërtohej krejt diçka tjetër, një shesh modern për këmbësorë, si vazhdimësi e sheshit “Nëna Terezë” dhe atij “Zahir Pajaziti”.
Ky plan përfshinte zgjerimin e zonës për këmbësorë, për ta bërë më të qasshme dhe të lidhur qendrën e qytetit, si dhe hapësirë publike me ulëse, ndriçim dekorativ, pemë dhe sipërfaqe të gjelbra.
Por, përkundër këtij vizioni, projekti ngeci në gjysmë.
Çfarë mbeti pas është një zonë ndërtimi e braktisur, me kamionë të ndalur dhe rrugë të shkatërruara.
Mirëpo, ky kaos në pikën e verës ndodhi për shkak se Inspektorati për Trashëgimi Kulturore pranë Ministrisë së Kulturës ndaloi punimet më 12 mars 2025, me arsyetimin se Komuna nuk kishte siguruar lejet e nevojshme nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, edhe pse zona përfshin monumente dhe objekte me mbrojtje kulturore.
Megjithatë, edhe pse vendimi i tillë u mor dhe puna u ndalua tashmë disa muaj më parë, Komuna e Prishtinës vazhdon të mbajë qëndrim se nuk kishte asnjë parregullsi në këtë projekt.
Për këtë situatë dhe ngecjen e projektit, pushteti i LDK-së në Prishtinë ka marrë kritika të shumta nga opozita.
Ata e kanë akuzuar qeverisjen lokale për keqmenaxhim, mungesë transparence dhe mosplanifikim të mirë, duke theksuar se qytetarët po paguajnë çmimin e një procesi të gjatë dhe të paqartë.
Leutrim Retkoceri nga Partia Demokratike e Kosovës hodhi akuza ndaj kryetarit Perparim Rama për mospërputhje të buxhetit, pasi vlera totale është 18.4 milionë euro, dhe sipas tij me këtë buxhet është e pamundur që Komuna ta përballojë projektin.
Retkoceri thekson se kryetari Rama është duke eksperimentuar me qytetin e Prishtinës, të cilin sipas tij nuk e njeh fare.
Me këtë rast, vetëm po bllokon qytetarët dhe trafikun, poashtu po luhet me paratë e përmbaruesit.
Retkoceri theksoi se Komuna e Prishtinës është në krizë të madhe financiare për shkak të lëndëve të humbura nga përmbaruesi.
Sipas tij, vetëm në vitin 2024 përmbaruesi ka marrë mbi 10 milionë euro nga buxheti i komunës, një shumë e madhe.
Sipas Retkocerit, sa dy partitë ishin në bashkëqeverisje, nuk ka pasur ndonjë projekt që është prezantuar për t’u diskutuar. Perparim Rama ka luajtur vazhdimisht me këtë projekt.
Ai thekson se Rama nuk ka mundur të prodhojë rrugë dalëse nga ky projekt, ku për hir të qytetarëve duhet të reflektojnë të dyja palët për t’i dhënë një zgjidhje.
Punimet nisën në mars 2025, por u ndërprenë shumë shpejt nga Ministria e Kulturës me arsyetimin se projekti ishte në zonë të trashëgimisë kulturore, afër objekteve të mbrojtura si Katedralja “Nënë Tereza”, Rektorati i UP-së, Hoteli “Grand” dhe Radio Kosova.
The post PDK e ashpër në Prishtinë: “Eksperimenti i Ramës po kushton 18,4 milionë” (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.