Pavarësisht paralajmërimeve izraelite, dronët nga Turqia ‘rrethojnë’ flotën me ndihma për Gazën

Pavarësisht paralajmërimeve izraelite, dronët nga Turqia ‘rrethojnë’ flotën me ndihma për Gazën

Turqia i është bashkuar Spanjës, Italisë dhe Greqisë në monitorimin e një flotilje ndërkombëtare që transportonte ndihma për Gazën, e cila po lundronte në lindje përmes Detit Mesdhe të hënën, pavarësisht paralajmërimeve nga Izraeli për të ndaluar misionin, tregojnë të dhënat e fluturimit.

Faqet e gjurmimit të fluturimeve treguan se tre dronë me qëndrueshmëri të gjatë, me origjinë nga baza ajrore Çorlu e Turqisë, kanë qarkulluar mbi flotilje për tri ditë, duke theksuar interesin ndërkombëtar në rritje për anijet që janë zotuar të shkelin një bllokadë detare izraelite rreth Rripit të Gazës.


Reuters thekson se nuk ishte në gjendje të konfirmonte arsyen e fluturimeve të dronëve ndërsa ministritë, ajo e Jashtme dhe e Mbrojtjes të Turqisë dhe agjencia e inteligjencës nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, flotilja globale Sumud, e përbërë nga anije civile që transportonin parlamentarë, avokatë dhe aktivistë, përfshirë aktivisten suedeze për klimën Greta Thunberg, ishte ende qindra milje larg vijës bregdetare të Gazës të hënën.

Por ajo po i afrohej një zone ku flotilje të tjera janë kapur më parë, thanë njerëzit në bord. Faqet e gjurmimit treguan rreth 40 anije në flotilje.

Përparimi i saj ka rritur tensionet ndërkombëtare, veçanërisht pas një sulmi me dron javën e kaluar që dëmtoi disa anije.

Askush nuk u lëndua, por flotilja u desh të ndalonte për disa ditë në ujërat greke për riparime përpara se të nisej përsëri për në Gaza gjatë fundjavës.

Organizatorët thanë të hënën se misioni tani pritet të arrijë në Gaza brenda rreth katër ditësh.

Italia dhe Spanja kanë vendosur anije të marinës për të shoqëruar flotiljen në rast shpëtimi ose nevojash humanitare, por kanë thënë se nuk do të angazhohen ushtarakisht.

Roja bregdetare e Greqisë gjithashtu kishte monitoruar progresin ndërsa flotilja ishte në zonën e saj të shpëtimit.

Italia paralajmëroi të dielën se flotilja po i afrohej një zone me rrezik të lartë dhe përsëriti një propozim të bërë javën e kaluar që flotilja të çonte ndihmën në Qipro për shpërndarje përfundimtare në Gaza nga Kisha Katolike Romake. Flotilja e hodhi poshtë idenë.

“Izraeli ka treguar disa herë se nuk ka vija të kuqe, kështu që është e qartë se jemi të shqetësuar për atë që mund të bëjë. Ne padyshim do të bëjmë gjithçka për të pasur një qëndrim paqësor dhe jo të dhunshëm”, tha të hënën anëtarja italiane e Parlamentit Evropian, Benedetta Scuderi, për Radio 24 të Italisë nga bordi i flotiljes.

Izraeli nuk komentoi incidentin e dronit të javës së kaluar, por më parë ka thënë se do të përdorë çdo mjet për të parandaluar anijet të arrijnë në Gaza, duke argumentuar se bllokada e saj detare është e ligjshme ndërsa lufton militantët e Hamasit në enklavën bregdetare. /Telegrafi/