Zvarritja e konstituimit të institucioneve shtetërore po krijon pasoja të drejtpërdrejta në ekonominë e Kosovës, duke rritur pasigurinë tek bizneset vendore dhe investitorët e huaj.
Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se mungesa e stabilitetit politik dhe qeverisës po ndikon negativisht në klimën e të bërit biznes, duke penguar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
Investitorët e jashtëm, që zakonisht kërkojnë stabilitet institucional para se të hyjnë në tregje të reja, po qëndrojnë të rezervuar përballë krizës aktuale të funksionimit të institucioneve në Kosovë.
Përveç ndikimit të menjëhershëm ekonomik, vendi rrezikon të përballet edhe me pasoja më të mëdha buxhetore. Mungesa e institucioneve të reja rrezikon që Kosova të hyjë në vitin 2026 pa një buxhet të miratuar, çka do të sillte pasoja serioze në funksionimin e shtetit.
Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt, por Kuvendi i ri ende nuk është konstituuar plotësisht. Seanca konstituive u hap më 15 prill, ndërsa më 30 gusht, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e mbylli atë, edhe pse deputetët nuk arritën të zgjedhin nënkryetarin nga komuniteti serb – një kusht kyç për përfundimin e seancës, sipas Kushtetutës.
Më 30 shtator, Gjykata Kushtetuese njoftoi se Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar dhe vendosi se seanca duhet të përfundojë brenda afatit të përcaktuar nga Kushtetuta. Bazuar në aktgjykimet KO193/25 dhe KO196/25, seanca duhet të përmbyllet brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit të Kushtetueses.
Ngërçi institucional po shton shqetësimet edhe në qarqet ndërkombëtare, ndërsa qytetarët dhe bizneset kërkojnë urgjentisht kthimin e funksionalitetit të plotë të institucioneve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Pasojat e moskrijimit të Qeverisë appeared first on Sinjali.