Dua Lipa është rikthyer fuqishëm në skenë me koncertin e saj të dytë në Dallas të enjten mbrëma, vetëm pak ditë pasi u raportua se kishte kërkuar ndihmë mjekësore për një lëndim në shpatull.
Këngëtarja 30-vjeçare, e cila po udhëton nëpër SHBA me turneun e saj “Radical Optimism Tour”, u vu re nga fansat me disa mavijosje në shpatull, çka ngriti dyshime për gjendjen e saj shëndetësore.
Burime për mediat britanike thanë se ajo u kontrollua nga një radiolog dhe u sigurua se mund të vazhdojë pa pengesa me turneun, shkruan DailyMail.
Në skenë, Dua shkëlqeu me paraqitje të ndryshme dhe të guximshme, duke kaluar nga një pallto e bardhë prej gëzofi sintetik te një bodysuit ngjyrë ari metalik.
Ajo surprizoi publikun edhe me një performancë speciale, ku iu bashkua këngëtari amerikan Leon Bridges, me të cilin interpretoi këngën “Beyond”.
Burimet shtojnë se lëndimi ka ndodhur gjatë kohës së lirë të saj, jashtë performancave, dhe se megjithëse ka qenë i dhimbshëm, këngëtarja tashmë është në rrugën e shërimit.
Për të siguruar rikuperim të plotë, ajo do t’i nënshtrohet terapive fizioterapeutike, por turneu do të vazhdojë sipas planit.
Pas Dallasit, Dua do të zhvendoset në Kaliforni për disa koncerte në Kia Forum, duke nisur nga 4 tetori.
Ndërkohë, jeta personale e artistes po përparon po aq sa edhe ajo profesionale. Vetëm në qershor, ajo konfirmoi publikisht fejesën me aktorin britanik Callum Turner, duke ndarë emocionet e propozimit.
Çifti raportohet se janë në kërkim të një vile luksoze prej rreth 9 milionë paundësh në Spanjë, në zonat si Marbella apo Andalucia, ku do të mund të shijojnë diellin dhe qetësinë larg zhurmës së përditshme.
Por planet e tyre nuk ndalen këtu. Dua dhe Callum kanë nisur edhe një bashkëpunim profesional, duke themeluar kompaninë e prodhimit filmik TwentyTwo Films Limited.
Me aksione të barabarta mes tyre, kompania do të fokusohet në projekte kinematografike dhe televizive. “Të dy janë shumë ambiciozë dhe kanë ide për projekte të reja që duan t’i realizojnë së bashku”, tha një burim për The Sun.
“Dua ka eksperimentuar më parë me kinemanë, por tani dëshiron më shumë kontroll krijues nëse merr projekte të tjera”. /Telegrafi/