Pasardhësi i Neuer? Legjenda e Interit ia sugjeron Bayernit transferimin e talentit brazilian

Pasardhësi i Neuer? Legjenda e Interit ia sugjeron Bayernit transferimin e talentit brazilian

Julio Cesar ka sugjeruar që Bayern Munich të shikojë drejt Brazilit për të gjetur pasardhësin afatgjatë të Manuel Neuer.

Legjenda e Interit ka veçuar portierin e Santos, Gabriel Brazao, si një “opsion të mrekullueshëm”, edhe pse 24-vjeçari mbetet kryesisht i panjohur në futbollin evropian.


Ish-portieri i Brazilit ka befasuar me zgjedhjen e tij, ndërkohë që Bayern po shqyrton të ardhmen në portë pas Neuer, i cili tashmë është 39 vjeç dhe në fazën përfundimtare të kontratës së tij me klubin nga Allianz Arena.

Në një intervistë për Sky Sport, Julio Cesar, i cili fitoi Ligën e Kampionëve me Interin në vitin 2010, u pyet se kë do të rekomandonte për bavarezët.

“Neuer është një idhull te Bayern, por është pothuajse 40 vjeç dhe klubi duhet të mendojë për të ardhmen. Ne kemi një portier të mrekullueshëm në Brazil: Gabriel Brazao”.

Gabriel Brazao

“Ai është një portier i jashtëzakonshëm, më pëlqen shumë. Edhe pse është i ri, ka pjekuri dhe po luan në një nivel të lartë. Është një nga më të mirët”.

Brazao, i cili aktualisht po shkëlqen me Santosin, ka pasur një karrierë të lëkundur që nga largimi nga Cruzeiro për në Evropë në vitin 2019.

Ai kaloi periudha te Parma dhe Inter, por nuk bëri asnjë paraqitje zyrtare në Itali.

Tani që është stabilizuar te Santos, një klub me lidhje të forta historike me Neymar, 24-vjeçari ka treguar vazhdimësi në paraqitje dhe po fiton gjithnjë e më shumë vlerësim në vendlindje./Telegrafi/