Presidenti amerikan, Donald Trump, ka zhvilluar dje një takim me liderët e botës arabe dhe myslimane në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, ku temë kryesore ishte përfundimi i luftës në Gaza.
Lideri amerikan u tha gazetarëve se ky ishte takimi më i rëndësishëm për të, sepse, siç theksoi: “do të përfundojë diçka që ndoshta nuk është dashur të kishte nisur kurrë”.
Ai shtoi: “Duam ta përfundojmë luftën në Gaza. Do ta përfundojmë. Ndoshta mund ta përfundojmë menjëherë”.
Në takim morën pjesë liderët e Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Egjiptit, Jordanisë, Turqisë, Indonezisë dhe Pakistanit. Trump tha se aty ishin “të gjithë lojtarët e mëdhenj përveç Izraelit, por që ai do të jetë i radhës”, duke iu referuar takimit të planifikuar për javën e ardhshme me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në Shtëpinë e Bardhë.
Trump lavdëroi edhe fjalimin e homologut indonezian, Prabowo Subianto, në Asamble, ku ai kishte theksuar se paqja kërkon garantimin e sigurisë së Izraelit.
Nga ana tjetër, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e përshkroi takimin me Trumpin si “shumë frytdhënës”. Ai tha se do të publikohet një deklaratë e përbashkët dhe se ishte “i kënaqur” me rezultatet, por pa dhënë detaje të tjera.
Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe bënë të ditur se fokusi i takimit ishte përfundimi i luftës në Gaza dhe arritja e një armëpushimi të qëndrueshëm, si dhe lirimi i pengjeve dhe marrja e hapave për zgjidhjen e krizës humanitare në këtë zonë të shkatërruar nga lufta.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!