Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, thirri një mbledhje urgjente konsultative gjatë orëve të vona të mbrëmjes së kaluar, menjëherë pasi Hamasi dorëzoi përgjigjen e tij zyrtare ndaj planit për paqe në Rripin e Gazës, të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Sipas raportimeve të mediave hebraike, që nuk citojnë burime të identifikuara, Netanyahu nuk përfshiu në këtë mbledhje ministrat e ekstremit të djathtë Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben Gvir.
Mbledhja u mbajt në kushte të rrepta sigurie dhe u ndoq nga zyrtarë të lartë të sektorit të sigurisë kombëtare, përfshirë krerët e ushtrisë dhe të shërbimeve të inteligjencës, si dhe ministrin e Mbrojtjes, Israel Katz dhe ministrin për Çështjet Strategjike, Ron Dermer.
Diskutimet ishin përqendruar në përmbajtjen e përgjigjes së Hamasit dhe hapat e ardhshëm diplomatikë dhe ushtarakë që Izraeli mund të marrë në këtë kontekst delikat.
Vendimi për të mos ftuar Smotrich dhe Ben Gvir është vlerësuar nga shumë analistë si një sinjal i qartë politik nga Netanyahu. Të dy këta ministra janë shprehur hapur kundër çdo përpjekjeje për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe kanë kundërshtuar me forcë çdo negociatë që përfshin Hamasin si palë bisedimesh.
Përjashtimi i tyre nga konsultimet e sigurisë sugjeron se qeveria izraelite mund të jetë duke shqyrtuar seriozisht mundësinë e një zgjidhjeje politike ose diplomatike, të cilën këta ministra do ta kundërshtonin ashpër.
Kjo lëvizje gjithashtu tregon për përçarje të brendshme në koalicionin qeverisës të Netanyahut, i cili ndodhet nën presion të madh si nga komuniteti ndërkombëtar, ashtu edhe nga segmentet e shoqërisë izraelite që kërkojnë një zgjidhje përfundimtare për konfliktin e përgjakshëm në Gaza.
Zhvillimet e fundit sugjerojnë se situata në terren po hyn në një fazë të re, ku diplomacia mund të marrë përkohësisht përparësi ndaj armëve – por rruga drejt paqes mbetet ende e pasigurt dhe e vështirë. /Telegrafi/