Pas nëntë javëve të para në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, Struga Trim & Lum e pandalshme në krye, Shkëndija në ndjekje për mbrojtjen e titullit, ndërsa Shkupi përjeton sezonin më të errët në historinë e saj, njofton Telegrafi.
Liga e Parë ka hyrë në një pauzë për shkak të ndeshjeve të përfaqësueses, por pas nëntë javëve, tabela e kampionatit është e qartë: Struga Trim & Lum kryeson pa humbje dhe me një golaverazh mbresëlënës, Shkëndija po qëndron fort në garë për fronin, ndërsa Bashkimi dhe Arsimi po kërkojnë stabilitet në mesin e tabelës. Në anën tjetër, FC Shkupi, një klub me traditë, është zhytur në krizë të thellë me vetëm një pikë të fituar.
Struga Trim & Lum – lidere e padiskutueshme
Struga Trim & Lum po zhvillon një sezon fantastik. Pas nëntë javëve, skuadra strugane kryeson renditjen me 23 pikë, me një bilanc mbresëlënës prej 7 fitoreve dhe 2 barazimeve, pa asnjë humbje.
Me 22 gola të shënuar dhe vetëm 5 të pësuar, Struga ka golaverazhin më të mirë në kampionat (+17), duke dëshmuar forcën e saj në të dyja fazat e lojës. Ekipi i trajnerit Blendi Shkëmbi ka ndërtuar një stil dominues dhe të disiplinuar, ku përveç efikasitetit në sulm, mbrojtja ka qenë një nga më të qëndrueshmet në ligë.
Shkëndija – kampionia që nuk heq dorë nga froni
Në vendin e tretë, me 21 pikë, qëndron Shkëndija e Tetovës, kampione në fuqi dhe rivale e përjetshme për kreun. Kuqezinjtë kanë regjistruar 6 fitore dhe 3 barazime, duke qenë një nga tre skuadrat që ende nuk kanë pësuar humbje. Me 15 gola të shënuar dhe vetëm 4 të pësuar, Shkëndija është ekipi me mbrojtjen më të fortë në kampionat. Forma e qëndrueshme, përvoja dhe grupi i konsoliduar e mbajnë skuadrën tetovare në garë të plotë për titull, në një duel që duket se do të vazhdojë gjatë gjithë sezonit me Strugën dhe Vardarin. Sigurisht se garën e bënë pak më të vështirë, pasi kuqezinjtë nga Tetova këtë seszonë janë pjesëmarrës për herë të parë në historinë e klubit edhe në garat e Ligës së Konferencës.
Bashkimi befasia pozitive e sezonit
Ekipi i Bashkimit të Kumanovës është një nga historitë e bukura të këtij fillim sezoni. Pas nëntë javëve, Bashkimi renditet në vendin e pestë me 15 pikë, falë 4 fitoreve, 3 barazimeve dhe vetëm 2 humbjeve.
Skuadra ka shënuar 12 gola dhe ka pësuar po aq (12:12), çka tregon një ekuilibër të mirë mes fazave të lojës. Në javët e fundit, Bashkimi ka treguar karakter, duke marrë rezultate të rëndësishme si mysafir, dhe po hyn me ambicie në mesin e skuadrave që luftojnë për pozicionet e para. Nëse jo më shumë, kumanovarët do të sulmojnë një pozitë që u mundëson dalje në garat evropiane.
Arsimi luan “ftohtë-nxehtë”, me potencial për rikthim
Në vendin e tetë me 8 pikë gjendet Arsimi i Tetovës, që ka realizuar 2 fitore, 2 barazime dhe 5 humbje, me golaverazh 13:16. Skuadra ka treguar momente të mira loje, sidomos në duelet në shtëpi, por mungesa e vazhdimësisë dhe disa gabime në fundin e ndeshjeve kanë kushtuar pikë të vlefshme. Nëse arrin të stabilizojë mbrojtjen dhe të ruajë ritmin e sulmit, Arsimi ka potencial për të ngjitur disa shkallë në tabelë pas rikthimit nga pauza.
Shkupi në krizë, nëntë javë një pikë
Në fund të tabelës, me vetëm 1 pikë nga 9 ndeshje, qëndron FC Shkupi, një klub me traditë të madhe dhe katër tituj kampion në historinë e saj. Bilanci është alarmant: 0 fitore, 1 barazim dhe 8 humbje, me golaverazh -17 (6:23).
Kjo është periudha më e vështirë që ka përjetuar Shkupi në vitet e fundit, ku problemet financiare, ndryshimet e brendshme dhe mungesa e stabilitetit kanë ndikuar drejtpërdrejt në fushë. Në Çair mbretëron pasiguria, ndërsa tifozët presin reagim dhe masa konkrete për ta shpëtuar sezonin, që aktualisht po shkon drejt katastrofës.
Pauza – moment reflektimi
Pas nëntë javëve, kampionati po tregon se do të jetë një nga më interesantët e viteve të fundit. Ekipet shqiptare janë protagoniste në çdo nivel të tabelës: Struga Trim & Lum si lidere e qartë, Shkëndija në ndjekje për mbrojtjen e titullit, Bashkimi me rritje të qëndrueshme, Arsimi që kërkon stabilitet dhe Shkupi që përballet me krizën më të thellë në historinë e tij të afërt.
Pauza për ndeshjet e përfaqësueses do t’u japë trajnerëve kohë për analizë dhe përgatitje, ndërsa rikthimi në fushë pritet të sjellë edhe më shumë emocione dhe duele të zjarrta mes skuadrave shqiptare që po e udhëheqin elitën e futbollit në Maqedoninë e Veriut. /Telegrafi/