Udhëheqësja e opozitës venezuelane Maria Corina Machado, e cila ka qenë duke u fshehur për muaj të tërë, i tha BBC-së se ajo i di “saktësisht rreziqet” që po merr duke udhëtuar në Norvegji për ta marrë Çmimin e saj Nobel për Paqe.
Machado u shfaq në Oslo në mes të natës, duke përshëndetur nga ballkoni i një hoteli. Ishte hera e parë që shihej në publik që nga janari.
58-vjeçarja udhëtoi fshehurazi pavarësisht ndalimit të udhëtimit dhe një kërcënimi nga qeveria venezuelane se ajo do të etiketohej si e arratisur.
Në një moment emocional, Machado i përshëndeti përkrahësit që ishin mbledhur jashtë Grand Hotel-it të kryeqytetit norvegjez, duke u dërguar puthje dhe duke kënduar me ta.
Për kënaqësinë e tyre, ajo më pas doli jashtë dhe i përshëndeti personalisht, duke kaluar përmbi barrikadat e sigurisë për t’u afruar më shumë.
“Maria!” “Maria!” thërrisnin ata, duke mbajtur telefonat lart për ta regjistruar momentin historik.
Instituti Nobel ia dha Machados çmimin këtë vit për “luftën e saj për të arritur një tranzicion të drejtë dhe paqësor nga diktatura në demokraci” në Venezuelë. Më herët të mërkurën, vajza e saj, Ana Corina Sosa, e pranoi Çmimin Nobel për Paqe në emër të së ëmës.
Deri të mërkurën në mbrëmje, nëna e tre fëmijëve nuk i kishte parë fëmijët e saj për rreth dy vjet, pasi i kishte larguar nga Venezuela për sigurinë e tyre.
Në një intervistë me Lucy Hockings të BBC-së pas paraqitjes nga ballkoni, Machado tha se kishte munguar në diplomimin e tyre, si dhe martesat e vajzës së saj dhe njërit prej djemve.
“Për më shumë se 16 muaj nuk kam qenë në gjendje ta përqafoj apo prek askënd”, tha ajo. “Papritur, brenda pak orësh kam mundur t’i shoh njerëzit që dua më shumë, t’i prek, të qaj dhe të lutem bashkë me ta”.
Gjatë intervistës për BBC-në, Machado kishte shumë varëse në qafë, të cilat tha se përkrahësit ia kishin dhënë jashtë hotelit.
Ka pasur shumë spekulime nëse ajo do të jetë në gjendje të kthehet e sigurt në Venezuelë.
“Sigurisht që do të kthehem”, i tha ajo BBC-së. “I di saktësisht rreziqet që po marr”.
“Do të jem në vendin ku jam më e dobishme për kauzën tonë”, vazhdoi ajo. “Deri para pak kohësh, vendi ku mendoja se duhej të isha ishte Venezuela; vendi ku besoj se duhet të jem sot, në emër të kauzës sonë, është Oslo”.
E konsideruar si një nga zërat më të respektuar të opozitës në Venezuelë, Machado prej kohësh ka denoncuar qeverinë e presidentit Nicolas Maduro si “kriminale” dhe u ka bërë thirrje venezuelanëve të bashkohen për ta rrëzuar atë.
Asaj iu ndalua kandidimi në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, në të cilat ai fitoi një mandat të tretë gjashtëvjeçar në detyrë. Votimi u hodh poshtë gjerësisht në skenën ndërkombëtare si as i lirë dhe as i drejtë, dhe shumë kombe e shohin sundimin e tij si jolegjitim.
Qeveria e Maduros e ka kërcënuar vazhdimisht me arrestim, duke e akuzuar për thirrje për pushtim të huaj dhe duke e quajtur terroriste për protestat kundër rezultateve të zgjedhjeve.
Muajin e kaluar, prokurori i përgjithshëm i Venezuelës tha se Machado do të konsiderohej e arratisur nëse udhëtonte në Norvegji për ta marrë çmimin e saj, duke thënë se ajo akuzohet për “akte komploti, nxitje urrejtjeje dhe terrorizëm”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


