“Pas Kosovës kuptuam gjithçka” – Isak optimist për kthesën e Suedisë në kualifikime

“Pas Kosovës kuptuam gjithçka” – Isak optimist për kthesën e Suedisë në kualifikime

Sulmuesi Alexander Isak thotë se ka marrë shumë përgjegjësi megjithatë nuk e sheh vetën si ‘shpëtimtari’ i Suedisë.

Sonte, “Blagult” përballet me Zvicrën, ndeshje që nis në orën 20:45. Zvicra ka fituar dy sfidat e para me rezultatin e përgjithshëm 7-0, ndaj për Suedinë kjo është një përballje vendimtare për të ringjallur shpresat kualifikuese.


Me emra të njohur në sulm, pritshmëritë janë të mëdha që Suedia të sigurojë pjesëmarrjen në Botërorin e dytë që nga viti 2006. Një barrë që Alexander Isak e ndien, por e pranon me qetësi.

“Është e qartë që kemi presion dhe pritshmëri të larta. Është diçka normale në futboll dhe ne kemi të njëjtat ambicie si populli suedez. Shpresojmë të arrijmë t’i përmbushim ato”.

Sulmuesi i Liverpoolit u bëri thirrje tifozëve që të krijojnë një atmosferë pozitive në stadium.

“Shpresoj që ata që janë në stadium të besojnë dhe të sjellin energji pozitive. Do të na duhet ai ‘lojtari i dymbëdhjetë’. Është e rëndësishme që të gjithë të jemi në të njëjtën linjë për ta ndihmuar Suedinë të fitojë”.

Pas fillimit zhgënjyes dhe humbjes ndaj Kosovës, pati zëra që kërkonin shkarkimin e trajnerit Tomasson, por Isak i mbrojti stafin teknik, duke pranuar se përgjegjësia bie mbi lojtarët.

“Është folur shumë për idenë e lojës, por brenda ekipit gjithçka është e qartë. Në ndeshjen e fundit nuk e ndoqëm planin, ishte thjesht një paraqitje e dobët nga ana jonë. Tani ka kaluar një muaj, kam marrë më shumë minuta dhe gjithçka është më e qetë. Ndihem në një pozicion shumë më të mirë se në grumbullimin e kaluar”, tha ai, duke iu referuar edhe transferimit të zgjatur nga Newcastle te Liverpool, që ndikoi në formën e tij.

I pyetur nëse mund të jetë “shpëtimtari” i Suedisë në rrugën drejt Botërorit, Isak u përgjigj me modesti.

“Kam marrë më shumë përgjegjësi, por ‘shpëtimtar’? Nuk do ta quaja veten ashtu”.

Megjithatë, 26-vjeçari pranoi se është ndër liderët e grupit.

“Ka lloje të ndryshme liderësh – disa që flasin shumë dhe janë të mirë në komunikim, e disa që udhëheqin në fushë. Unë përpiqem të jem i këtij lloji të dytë, ta tregoj lidershipin me mënyrën si luaj. Por sigurisht, mundohem të jem pranë të gjithëve edhe jashtë fushës. Fizikisht ndihem mirë, nuk kam pasur probleme. Në aspektin e formës, di që mund të jap më shumë dhe po punoj për ta arritur atë nivel”./Telegrafi/