Pas arrestimit të pilotit ushtarak të KFOR-it dhe partneres së tij serbe, reagon presidenti kroat

news image

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka reaguar pas hetimeve të nisura ndaj një piloti të ushtrisë kroate, J. I, i cili po përballet me akuza për spiunazh.

Në një deklaratë nga zyra e tij, presidenti shprehu mbështetje për institucionet shtetërore, veçanërisht Agjencinë e Inteligjencës Ushtarake (VSOA), të cilat kanë identifikuar veprime të mundshme penale që prekin sigurinë kombëtare dhe kanë ndërmarrë masa për zbardhjen e çështjes.

Milanoviq është informuar me kohë për veprimet e shërbimeve të sigurisë dhe ka kërkuar një hetim të shpejtë dhe transparent, që do të sqarojë të gjitha faktet e rastit.

Sipas raportimeve nga Index.hr, piloti dyshohet se ka rrjedhur informacione të klasifikuara për një periudhë disa-vjeçare, në bashkëpunim me partneren e tij, A. M., shtetase serbe që punonte dhe jetonte në Kosovë. Ata janë arrestuar në ishullin Vis.

Nga hetimet rezulton se midis viteve 2022 dhe 2025, piloti i ka dhënë partneres së tij informacione mbi lëvizjet e serbëve në veri të Kosovës, trupat e KFOR-it, si dhe situatën në Zubin Potok, zonë e njohur për tensione etnike dhe politike. Po ashtu, dyshohet se kanë shkëmbyer informacione për rastin e Dejan Pantiq, ish-polic i arrestuar i Kosovës, çka shkaktoi trazira dhe barrikada në fund të vitit 2022.

Partnerja e tij dyshohet se ka vepruar në bashkëpunim me gazetarë dhe një qeveri të huaj.

Ndërkohë, piloti i mohon akuzat dhe pretendon se është viktimë e një kurthi, duke e përshkruar partneren si një viktimë po ashtu. Persona që e njohin e përshkruajnë si një profesionist të përkushtuar dhe janë të habitur nga zhvillimet.

Ministria kroate e Mbrojtjes ka konfirmuar se ai kishte kaluar kontrollin e sigurisë, por prokuroria pretendon se ka prova të mjaftueshme për të nisur një hetim të thelluar. Partnerja e tij u dërgua fillimisht në një qendër të pritjes për të huaj, por tani është nën hetim për spiunazh.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/