Nezir Mehmetaj, i arrestuar që nga janari i vitit 2020 nga autoritetet serbe, të premten është liruar nga burgu dhe është kthyer në shtëpi. Lajmin e ka konfirmuar vëllai i tij, Valoni, përmes një shkrimi në rrjetet sociale.
Mehmetaj qe arrestuar nën akuza për krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Rudicë të Klinës në vitin 1999, si pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Faleminderit të gjithëve që keni ndarë me ne këtë moment kaq të veçantë! Urimet tuaj të ngrohta dhe fjalët mbështetëse na kanë dhënë forcë dhe gëzim në këtë kohë të rëndësishme. Vëllai im është liruar nga burgu, dhe ne jemi të lumtur që ai më në fund është kthyer në shtëpi. Kjo është një fillim i ri për të gjithë ne, dhe ne besojmë në një të ardhme më të mirë. Ju falënderoj nga zemra për mbështetjen tuaj dhe për dashurinë që na keni treguar. Çdo fjalë dhe çdo urim ka qenë i çmuar për ne”, ka shkruar Valon Mehmetaj në Facebook.
Në prill të vitit 2024, Gjykata e Lartë e Serbisë e dënoi Nezir Mehmetajn me gjashtë vjet burgim, duke i llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!