Krahas krizës politike në nivelin qendror për shkak të moskostituimit të Kuvendit të Kosovës, as pas më shumë se 3 muaj nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare, subjektet politike janë duke përgatitur listat me emrat e kandidatëve në zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale.
Më pak se 40 ditë kanë mbetur deri në përfundimin e afatit për subjektet politike për të dorëzuar zyrtarisht kandidatët me të cilët do të garojnë në nivelin lokal.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për KosovaPress, se ndonëse kanë kaluar 10 ditë nga hapja e afatit për aplikim, asnjë subjekt politik nuk ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin.
Sipas Elezit, me qëllim të lehtësimit të aplikimit, KQZ mundëson aplikimin online për dorëzimin e aplikimit së bashku me listat e kandidatëve.
Por, sipas tij, fillimisht, përfaqësuesi i autorizuar i subjektit politik (iniciativës qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të plotësojë online të dhënat që kërkohen në platformën: https://apliko.kqz-ks.org, ndërkaq partive politike të regjistruara dhe koalicioneve, u janë krijuar dhe dërguar ‘userët’ dhe prej tyre nuk kërkohet të ndjekin këtë hap. Pas vërtetimit të këtij aplikimi, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, do t’i përcjellë përmes e-mailit përfaqësuesit të autorizuar kredencialet për t’u qasur në platformën online dhe për të paraqitur aplikimin.
Elezi ka shpjeguar se të gjithë kandidatët do të verifikohen nga KQZ dhe institucionet tjera, me qëllim që të vërtetohen se të njëjtit janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Në mesin e institucioneve që KQZ do të kërkojë verifikim është edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Ndryshe, sipas nenit 30 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, një person nuk mund të certifikohet si kandidat për deputet i cili ka funksion të veçantë në bazë të Ligjit në fuqi për Zyrtarët Publikë; anëtar i shërbimit të jashtëm dhe përfaqësues diplomatik; kryesues apo anëtar i KQZ-së dhe Komisionit Komunal të Zgjedhjeve; zyrtar i PZAP-it; me anë të vendimit të gjykatës, duke përfshirë edhe vendimin e PZAP-it, i është hequr e drejta për të qenë kandidat; është dënuar në tre vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv; ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i, ose KQZ-ja; ose ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhri të PZAP-it.
The post Partitë në kërkim të kandidatëve për zgjedhjet lokale, KQZ: Deri më tani asnjë aplikim appeared first on Klan Kosova.