Parlamenti i Greqisë miratoi të enjten një projektligj që u lejon punëdhënësve të sektorit privat të zgjasin orarin e punës, pavarësisht protestave të punëtorëve që tashmë po përballen me krizën e kostos së jetesës.
Projektligji i ri u mundëson punëdhënësve të zbatojnë ditë pune deri në 13 orë, në vend të kufirit aktual prej tetë orësh. Qeveria konservatore e Greqisë thotë se qëllimi është të bëhet tregu i punës më fleksibël dhe më efektiv, raporton BBC.
Miratimi i këtij projektligji ka shkaktuar pakënaqësi të thellë në radhët e punëtorëve, duke nxitur dy greva të përgjithshme vetëm këtë muaj. Sindikatat dhe protestuesit e shohin ligjin si një hap prapa në të drejtat e punës, në një kohë kur pagat janë të ngrira dhe çmimet e ushqimit e qirasë janë në rritje të vazhdueshme.
“Kur pjesa tjetër e Evropës është në diskutime për të ulur orët e punës, në Greqi ne i rrisim ato”, tha baristi 41-vjeçar Themis Lytras, i cili shtoi se qiraja e tij ishte dyfishuar gjatë dy viteve të fundit.
Sipas të dhënave të Bashkimit Evropian, Greqia tashmë ka një ndër javët më të gjata të punës në kontinent, me rreth 40 orë në javë. Në krahasim, në Gjermani punohet mesatarisht 34 orë në javë, ndërsa në Holandë 32.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!