Parisi nderon Ismail Kadarenë, vendos pllakë përkujtimore në adresën ku banoi shkrimtari

Ismail Kadare

Besiana Kadare, vajza e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadaresë, ka bërë të ditur se Parisi dje i ka bërë një nderim të denjë babait të saj në qytetin ku ai jetoi dhe krijoi një pjesë të veprës së tij universale.

Ajo tha se Këshilli Bashkiak i Parisit votoi me unanimitet për vendosjen e një pllake përkujtimore në adresën e tyre.

“Këshilli Bashkiak i Parisit votoi me unanimitet për vendosjen e një pllake përkujtimore në adresën tonë 63 boulevard Saint-Michel 75005, ku lindën disa nga faqet më të ndritura të letërsisë shqipe”.

“Kadare ishte një ndërgjegjje evropiane e farkëtuar në tokën shqiptare. Ai e përshkroi identitetin dhe rrugëtimin e kombit shqiptar si thellësisht evropian shumë përpara se ta njihte Brukseli”, shkroi Besiana, transmeton Klankosova.tv.

Tutej, Besiana Kadare u shpreh se ky gjest fisnik i Evropës nderon jo vetëm autorin, Ismailin, por edhe Shqipërinë dhe kontributin e kulturës në ndërtimin e qytetërimit shpirtëror evropian, përtej kufijve të politikës.

“Disa herë janë të tjerët që na kujtojnë më  mirë se kush jemi dhe çfarë i kemi dhënë botës. Faleminderit Parisit dhe Francës për këtë përkujtim plot dritë”, shkroi ajo.

The post Parisi nderon Ismail Kadarenë, vendos pllakë përkujtimore në adresën ku banoi shkrimtari appeared first on Klan Kosova.